Pyetja: Kur vdes dikush tek ne dhe vijnë njerëz, kafen ua bëjnë pa sheqer dhe veprime të tjera, si është gjykimi?
Përgjigja: Këto nuk janë prej Islamit, por janë veprime që njerëzit i kanë trashëguar prej jobesimtarëve. Kjo është sikurse mbajtja e zisë. Besimtari nuk mban zi dhe nuk lejohet mbajtja e zisë për të vdekurin, apo veshja me rroba të zeza, mosbërja e bakllavës për festën e Bajramit e të ngjashme. Myslimani mërzitet për të vdekurin, por nuk mban zi. Ai duhet të lutet që Allahu ta falë dhe ta mëshirojë të vdekurin. Dhe jeta vazhdon.
Çështja është edhe më e rrezikshme kur njerëzit e konsiderojnë si pjesë të fesë mbajtjen e zisë. Lejohet të qahet për të vdekurin veç me lot, por pa zë. Nuk lejohet as me zemër e as me gjuhë, në raste vdekjesh, ta kundërshtosh Caktimin e Allahut duke thënë: “Pse më sprovoi Allahu kështu, pse veç mua?”
Kjo zakonisht ndodh kur vdes fëmija që është djalë i vetëm dhe prindi thotë: “Filani ka kaq e kaq djem, e Allahu ma mori mua (që e pata të vetëm), më bëri padrejtësi!”, duke e akuzuar urtësinë dhe dijen e Allahut me këto fjalë. Duhet bërë durim ndaj Caktimit të Allahut.
Hoxhë Lulzim Perçuku