Pyetja:

Çfarë domethënie ka izolimi në xhami dhjetë ditët e fundit të Ramazanit?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin ﷺ.

Qëndrimi në xhami për një kohë të caktuar me qëllim të adhurimit të Allahut xh.sh. quhet i’tikaf. Ky qëndrim mund të bëhet prej mashkullit dhe femrës, të rriturit dhe të voglit, prej muslimanit dhe të mençurit. Gjithashtu prej kushteve të tij është pastërtia nga xhunubllëku, nga cikli mujor dhe nga lehonia.

Qëndrimi në xhami –i’tikafi- është i ligjësuar sipas Kur’anit, Sunetit dhe ixhmasë. Allahu xh.sh. thotë:

Ibrahimin dhe Ismailin i urdhëruam: Ju të dy pastrojeni shtëpinë Time për vizituesit, për ata që qëndrojnë aty dhe për ata që falen aty.” (Bekare: 125)

Po ashtu i Lartësuari thotë:

E kur jeni të izoluar (në i’tikaf) në xhami, të mos u afroheni atyre (grave për marrëdhënie intime).” (Bekare: 187)

Ndërsa nga Suneti ka hadithe të shumta, në mesin e tyre hadithi që transmeton Aishja r.a.: “I Dërguari i Allahut ﷺ qëndronte i izoluar (në xhami) në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit vazhdimisht derisa ka ndërruar jetë, pastaj këtë (i’tikafin) e bënin gratë e tij pas tij.” [1]

Ndërsa Ibën Mundhiri thotë: “Dijetarët kanë mendim unanim se i’tikafi është sunet dhe nuk bëhet obligim i detyrueshëm për njerëzit, përveç nëse ndonjëri ia obligon vetes me premtim, atëherë obligohet zbatimi i premtimit.” [2]

Hyrja në i’tikaf është sunet mueked (sunet i fortë), që bëhet në dhjetëditëshin e fundit të muajit Ramazan.

Mund të bëhet edhe në çdo kohë tjetër jashtë Ramazanit, qoftë edhe për një ditë të vetme, apo një pjesë të ditës, qoftë duke pritur namazin pas namazi. Ky lloj i’tikafi është mustehab-sunet dhe është sevap pa dyshim, por ai i Ramazanit është i veçantë, andaj kur përmendet emri i’tikaf kuptohet i’tikafi në Ramazan.

Qëndrimi në i’tikaf është prej veprave më të mira me të cilat mund t’i afrohemi Krijuesit tonë, prandaj i’tikafi është adhurim me dobi të shumta. Besimtari gjatë qëndrimit të tij është i izoluar në xhami dhe ka mundësi të bëjë ibadete të llojllojshme, si përmendja e Allahut, leximi i Kur’anit, falja e namazit, agjërimi, pendimi, kërkimfalja, lutja, e me theks të veçantë meditimi dhe vetëllogaritja.

Pa dyshim largimi nga preokupimet e përditshmërisë dhe izolimi nga të tjerët me qëllim të meditimit për begatitë e panumërta të të Gjithëmëshirshmit dhe vetëllogatitja për veprat e kryera e ndihmon besimtarin t’i përmirësojë sjelljet e tij dhe ta forcojë imanin dhe bindjen e tij në Allahun e Lartësuar.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

——————————

[1] Buhariu, nr. 2026; Muslimi, nr. (1172)

[2] El-Ixhma, fq. 53.