Pyetja:
E lexoj rregullisht Kuranin mirëpo nuk po e kuptoj. A do të kem shpërblim nga Allahu edhe përkundër asaj që nuk po e kuptoj Librin e Tij?
***
Përgjigjja:
Kurani është Libër i Bekuar. Allahu i Madhëruar thotë:
“Ky është Libër i begatshëm. Ne ta shpallëm ty këtë, që t’i studiojnë argumentet e tij dhe që të marrin mësim prej tij ata që kanë mend.” (Saad: 29)
Njeriu do të shpërblehet për leximin e Kuranit të Shenjtë pa marrë parasysh a e ka kuptuar atë apo jo. Mirëpo besimtari, prej të cilit kërkohet që t’i zbatojë dispozitat e Librit, nuk bën që ta lexojë librin e Allahut pa e kuptuar atë, p.sh. nëse dikush dëshiron që ta mësojë mjekësinë dhe studion librat e mjekësisë, ai nuk mund të përfitojë prej këtyre librave nëse nuk i kupton ato, dhe ato t’i sqarohen atij. Ky njeri është i etur për t’i kuptuar këto libra që më pas dijen e tij ta fusë në përdorim. Atëherë, sa është e nevojshme dhe e rëndësishme që të kuptohet Libri i Allahut, i cili është shërim për zemrat e njerëzve dhe i cili këshillon dhe paralajmëron njerëzimin!
Sa është e drejtë për çdokënd që ta lexojë Kuranin dhe të meditojë rreth tij pa e kuptuar
atë? Prandaj sahabet (Allahu qoftë i kënaqur me ta) nuk kalonin në leximin e ajetit vijues pa e kuptuar dhe praktikuar ne jetën e përditshme ajetin paraprak. Njeriu do të shpërblehet për leximin e Kuranit të shenjtë pa marrë parasysh a e ka kuptuar atë apo jo, por kërkohet prej tij që të bëjë përpjekje me mish e me shpirt për ta kuptuar Librin e Allahut. Këtë dije duhet ta marrë nga dijetarët e besueshëm. Nëse nuk ka mundësi që të takohet me këta dijetarë, atëherë le t’i kthehet librave të besueshme të tefsirit të dijetarëve të njohur siç janë Ibn Xheriri, Ibn Kethiri, etj. Allahu e di më së miri.
Shejh Ibn Uthejmin, Fetaua islamijje” nr. 4
Përktheu: V.Z.