Pyetja:

A ekziston tash xheneti, apo do të krijohet pasi të shkatërrohet bota?

***

Përgjigjja:

Dijetarët e Ehli Sunetit kanë pajtueshmëri të plotë se xheneti dhe xhehenemi janë të krijuar dhe se tani  ekzistojnë pa kurrfarë dyshimi. Këtë e thonë duke u bazuar në argumente të shumta.

Argumente nga Kur’ani Famëlartë janë thëniet e Allahut të Lartësuar për xhenetin:

Dhe ngutuni (me punë që të meritoni ) në falje mëkatesh nga Zoti juaj dhe për një xhenet, gjerësia e të cilit është si gjerësia e qiejve dhe e tokës, i përgatitur për të devotshmit.” (Ali Imran: 133)

Shpejtoni në atë që fitoni falje prej Zotit tuaj dhe xhenetin që gjerësia e tij është si gjerësia e qiellit e tokës, i përgatitur për ata që i besuan Allahut dhe të Dërguarve të Tij. Ajo është dhunti e Allahut që ia jep kujt të dojë, e Allahu është dhurues i madh.” (Hadid: 21)

Atë (Xhibrilin) e ka parë edhe herën tjetër.. (E ka parë) tek Sidretul Munteha. Që pranë saj është xhennetul Me’va (kopsht strehimi i…).” (Nexhm: 13-15)

Gjithashtu thënia e Allahut xh.sh. për xhehenemin:

“…E mos e paçi bërë (deri më tash), e as që do ta bëni kurrë (edhe në të ardhmen),  atëherë ruajuni zjarrit, lëndë e të cilit janë njerëzit dhe gurët, që është i përgatitur për jobesimtarët.” (Bekare: 24)

Fjala e Allahut xh.sh. për xhenetin dhe xhehenemin se janë përgatitur do të thotë se ato ekzistojnë.

Kurse argumentet nga hadithet janë të shumta, prej tyre përmendim:

Abdullah bin Umeri r.a. transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kur dikush prej jush vdes, i paraqitet vendqëndrimi i tij çdo mëngjes e mbrëmje. Nëse është prej banorëve të xhenetit, i paraqitet vendi i tij në xhenet, nëse është prej banorëve të xhehenemit, i paraqitet vendi i tij në xhehenem dhe i thuhet: “Ky është vendi yt”, derisa ta ringjallë Allahu në Ditën e Gjykimit.” [1]

Enesi r.a. transmeton se Pejgamberi ﷺ një ditë, pasi ua fali namazin, u kthye nga xhemati dhe u tha: “…Pasha Atë që shpirti im është në dorën e Tij, po të kishit parë atë që pashë unë, do të kishit qeshur pak e do të kishit qarë shumë.” I thanë: “Çka pe, o i Dërguar i Allahut?” Tha: “E pashë xhenetin dhe xhehenemin.” [2]

Kjo do të thotë se xheneti dhe xhehenemi janë të krijuara, janë prezente dhe janë prej krijesave të Allahut që nuk do t’i përfshijë shkatërrimi në Ditën e Kiametit. Shkatërrimi do të përfshijë çdo gjë që ekziston në qiell dhe në tokë, e xheneti nuk është as në tokë e as në qiell, por është mbi shtatë palë qiejt nën Arshin e Allahut të Madhërishëm, jashtë kozmosit të gjithësisë.

Besimtarit nuk i mbetet tjetër gjë përveçse të angazhohet në kryerjen e veprave të mira dhe të largohet  nga ndalesat, me shpresë se do të fitojë shpërblimin e xhenetit dhe do të shpëtojë nga dënimi i xhehenemit. Ky pa dyshim është synim i çdo besimtari të devotshëm.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————-

[1] Buhariu nr. 1379; Muslimi nr. (2866) 65

[2] Muslimi, nr. (426)-112