Pyetja:
Si konsiderohet nga Islami festimi i Halloween-it dhe a lejohet që fëmijët tanë të marrin pjesë në festime të tilla që mund të organizohen nëpër shkolla apo kopshte?
***
Përgjigjja:
Halloween është një festë me origjinë pagane. Në Skocinë e vjetër dikur mendohej se ishte pikërisht nata e 31 tetorit, kur nuk kishte kufi mes botës së të gjallëve dhe të vdekurve. Dita e 31 e muajit tetor (kur dhe festohet Halloween) shënon fundin e vitit të keltëve dhe besohet të jetë dita kur shpirtrat e atyre që kanë vdekur vitin e mëparshëm do të kthehen për të zënë vend në trupin e një të gjalli. Pikërisht për këtë arsye, njerëzit veshin kostume të frikshme për t’i trembur ata. Po ashtu sipas versioneve të ndryshme apo nga ajo që ka mbetur nga legjendat apo mitet e vjetra, në natën e Samhain, keltët besonin se shpirtrat e njerëzve që kishin vdekur vitin e kaluar do të ecin në mesin e të gjallëve. Kështu, fshatarët vinin ushqim dhe ëmbëlsira të qetësonin shpirtrat e tyre.
Edhe pse Halloween ka origjinë pagane, emri i saj rrjedh nga pushimet e të krishterëve “All Hallows Eve”, Dita e Shenjtorëve, apo mbrëmja para Ditës së të Gjithë Shenjtorëve ‘(1 nëntor). Pushimet që përkonin me këtë datë, në fakt ishin një përpjekje e radhës për të zhveshur krishterimin nga ritet e ndryshme pagane.
Në Shqipëri kjo festë ka filluar të përhapet pas viteve 90-të. Muslimanët në fenë e tyre kanë vetëm dy festa vjetore, ato janë Fitër Barjami, që vjen pas agjërimit të muajit Ramazan dhe Kurban Bajrami, që rikujton përkushtimin e Profetit Ibrahim ndaj Allahut. Kremtimi dhe përkujtimi i festave me origjinë pagane si dhe të gjitha festat që nuk lejohen fetarisht, janë të ndaluara të festohen, për arsye se Profeti ﷺ na ka ndaluar t’u përngjajmë jomuslimanëve në të tilla gjëra. Një praktikë të tillë pas Profetit ﷺ e kanë ndjekur edhe shokët e tij, si p.sh. Umer ibn Hatabi i cili i ndalonte muslimanët që të kremtonin Nevruzin, një festë perse kjo me origjinë pagane.
Nuk lejohet po ashtu që fëmijët muslimanë të marrin pjesë në festime të tilla, kudo qofshin ato, në shkolla, kopshte, qendra kulturore apo në vende të veçanta ku rinia mblidhet enkas për të kujtuar të tilla festa. Për arsye se të tilla kremtime bën që fëmijët dhe të rinjtë të largohen nga natyrshmëria e pastër islame dhe të ndikohen nga rite, festime apo dhe besime të ndryshme të cilat mund të shpien deri në mosbesim. Edhe sikur festimi të jetë sa për t’u argëtuar ai nuk lejohet, sepse kështu fëmijët apo të rinjtë muslimanë tregojnë dobësi në karakterin e tyre dhe gradualisht shkojnë drejt humbjes së identitetit islam duke ngjasuar me jomuslimanët, në festat që u përkasin atyre.
Në të njëjtën kohë duhet që muslimanët të kenë parasysh që edhe urimi i festave të tilla është i ndaluar. Andaj duhet që fëmijët muslimanë të pajisen me literaturën e nevojshme islame, të mësojnë parimet kryesore të fesë, të mësojnë historinë e Profetit Muhamed ﷺ dhe të praktikojnë rregullisht fenë e pastër islame për të qenë të ruajtur nga shfaqje të tilla.
Allahu e di më së miri.
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH