Pyetje: Një vëlla nga pyet: ‘A lejohet kryerja e Umres për një person të vdekur? Dhe a lejohet që të bëj Umre për babanë tim i cili është ende gjallë, por nuk ka mundësi ta kryejë vetë Umren?
Përgjigje: Lejohet kryerja e Umres dhe e Haxhit për të vdekurin nëse ai ka qenë musliman. Po ashtu, lejohet kryerja e Umres dhe e Haxhit për muslimanin e gjallë, nëse ai është i paaftë për ta kryer atë vetë, për shkak të pleqërisë ose një sëmundjeje nga e cila nuk pritet shërim. Kjo vlen qoftë për babanë, për nënën, apo për dikë tjetër.
Kjo bazohet në atë që është transmetuar nga Profeti ﷺ, se një burrë e pyeti: “O i Dërguari i Allahut, babai im është shumë i moshuar dhe nuk është në gjendje ta kryejë Haxhin dhe as të udhëtojë (të hipë mbi kafshë), a mund të bëj Haxh dhe Umre për të?”
Profeti ﷺ i tha:
حج عن أبيك واعتمر.
“Bëj Haxh dhe Umre për babanë tënd.”(¹)
(Muttefekun alejhi).
Gjithashtu, është vërtetuar se një grua nga fisi Khath‘am e pyeti atë: “O i Dërguari i Allahut, babai im është shumë i moshuar dhe nuk mund të qëndrojë mbi kafshën e udhëtimit, a të bëj Haxh për të?”
Ai ﷺ tha
حجي عن أبيك.
“Bëje Haxhin për babanë tënd.”(²)
(Muttefekun alejhi)
Referencat:
(¹)Transmeton Imam Ahmedi në librin e tij “El-Musned” në kapitullin “Musned el-Medenijjin” hadithi i Ebu Razin El-‘Ukajlij – Allahu qoftë i kënaqur me të – me nr: 15751;
dhe Nesaiu në “El-Menasik” kapitulli “Obligimi i Umres”, me nr: 2621.
(²)Transmeton Imam Ahmedi “El:Musned” kapitulli “Musned Beni Hashim”, nga Ibn Abbasi – Allahu qoftë i kënaqur me të -, me nr: 3041; dhe Nesaiu në “Menasik el-Haxh”, kapitulli “Haxhi për të vdekurin që nuk e ka kryer Haxhin”, me nr: 2634.
📕Burimi:
Kjo është një nga pyetjet drejtuar Shejkh AbdulAzijz Ibn Bazit nga gazeta “El-Muslimun”, marrë nga "Mexhmu‘ Fetaua ue Mekalaat Ibn Baz" vëll:16, fq:403.
Përktheu: Bilal Bilali
Shejkh Abdul-Aziz bin Baz – Allahu e mëshiroftë




