Pyetja:

Njëri prej dijetarëve përmendi në një program të transmetuar në radio se ai që mohon një ajet nga Kurani Fisnik bën kufër (del prej fesë), ndërsa ai që nuk i beson një hadithi ose e refuzon atë, nuk bën kufër (nuk del prej fesë). Cili është mendimi juaj, me përmendje të argumentit?

Përgjigjja:

Sa i përket ajeteve të Kuranit, nuk ka asnjë dyshim se kush i mohon ato, ai është kafir (mosbesimtar, i dalë prej fesë). Kush e mohon Kuranin ose një pjesë të tij, sipas konsensusit/ixhamut të muslimanëve është kafir, sepse është e vërtetuar se Kurani është Fjala e Allahut.

Ndërsa sa i përket hadithit, këtu ka dallim:

Hadithet e sakta të konfirmuara, për të cilat nuk ka kundërshtime dhe kritika, ai që i mohon ato është kafir sipas të gjithë dijetarëve të dijes.

Sa i përket haditheve rreth të cilave ka mospajtim, ose që kërkojnë shqyrtim dhe verifikim, kjo është çështje që duhet të studiohet. Personi që i refuzon ato nuk konsiderohet kafir.

Përgjithësimi i fjalës se “kush mohon një hadith nuk bëhet kafir”, është një pretendim i gabuar dhe nuk duhet të thuhet në mënyrë të përgjithësuar. Përkundrazi, këtu ka dallime:

Kush i mohon hadithet e sakta dhe të njohura nga Profeti, sal-lallahu alejhi ue selem, ai është kafir.

Po ashtu, ai që mohon Sunetin dhe thotë: “Suneti nuk përdoret si argument, na mjafton Kurani”, edhe ky është kafir.

Allahut i kërkojmë mbrojtje!

Allahu ia ka dhënë Profetit, sal-lallahu alejhi ue selem, Kuranin dhe diçka të ngjashme me të, (d.m.th. Sunetin). Por ka disa hadithe rreth të cilave ka kritika për shkak të dobësisë së zinxhirit të transmetimit ose dyshimeve në të. Këto hadithe duhen shqyrtuar dhe verifikuar.

 

Shejh Abdulaziz ibn Bazi (Allahu e pastë mëshiruar!)
Përktheu: Hoxhë Mr. Burim Koçinaj
(Fetva të zgjedhura nga imam ibn Bazi) – Fetvaja e dytë.