Pyetja:
Nëse gruaja dyshon se burri e tradhton, a ka të drejtë gruaja të mos pranojë të ketë marrëdhënie intime me të dhe të largohet nga shtrati, edhe pse burri nuk e pranon se e ka bërë këtë gjë asnjëherë. Mirëpo gruaja bazohet në sms e celularit që i ka këmbyer burri me vajzat me të cilat del. A ka gabuar gruaja në këtë rast të kontrollimit të celularit? Dhe si të veproje në këtë rast pasi për t’u ndarë është tepër vonë ndoshta, sepse kanë 20 vite martesë.
***
Përgjigjja:
Dyshimet në islam nuk ndihmojnë në ngritjen e një problemi dhe marrjen e një vendimi. Pra, nuk keni të drejtë të ndani mendimin se burri i juaj bën imoralitet – zina për faktin e përmbajtjes së ndonjë sms, e-maili, apo ndonjë thashetheme tjetër. Megjithatë, nuk keni të drejtë ju ta “ndëshkoni” burrin tuaj në atë mënyrë derisa jeni në bashkëshortësi. Më duhet t’ju them se ndoshta mos-ndarja racionale e juaj e shtratit me burrin tuaj, pasi që ai (siç e përshkruani ju) veç nuk e ka frikën e Allahut, mund të kishit ndikuar që ai të mendojë për zgjidhje në haram, andaj mos e thelloni problemin në këtë rast.
Ju duhet të punoni për vete dhe me burrin tuaj që ta kuptoni drejt Islamin dhe ta keni frikë Allahun në çdo veprim. Feja ne na mëson ta respektojmë rendin e nuk synon që me sanksionime të zgjidhim probleme, pasi ato aplikohen vetëm për njerëzit e pandërgjegjshëm, të pavetëdijshëm për rolin e tyre në këtë botë, që janë shkelës të rendit shoqëror. E për shkelësit e rendit përkujdeset shteti e jo individi.
Punoni që burri i juaj të jetë praktikues i namazit fillimisht dhe ngadalë do ta kuptojë rolin e tij dhe detyrat e tij në këtë jetë karshi Allahut, pastaj karshi krijesave e sidomos karshi njerëzve ndaj të cilëve ka obligime dhe përgjegjësi të drejtpërdrejta, si prindërit, bashkëshortja, fëmijët, të afërmit etj.
P.S. Fjala tradhti e burrit apo e gruas është e bazuar tek besimet e tjera e nuk ka të bëjë me Islamin. Çdo kontakt intim të ndonjë burri me ndonjë grua pa kurorëzim e quajmë zina dhe mjafton për mëkat dhe dënim. Ndërkaq nëse burri eventualisht ka kontakt me grua tjetër me të cilën është kurorëzuar, atëherë ai as nuk e tradhton gruan e parë e as nuk bënë zina – imoralitet. Allahu e di më së miri!
Muhamed Dërmaku