Pyetja: A konsiderohet kamatë (riba) nëse në një platformë shitjeje online, çdo pagesë e kryer përmes transfertës bankare kushton më pak sesa pagesa me para në dorë (cash)?
Përgjigjja: I gjithë falenderimi i takon vetëm Allahut…
Nuk ka asnjë pengesë ligjore (Sheriatike) për dallimin në çmimin e një produkti bazuar në metodën e pagesës së blerësit, dhe kjo nuk konsiderohet kamatë (riba).
Megjithatë, është e domosdoshme që të dyja palët të bien dakord prerazi për një metodë specifike pagese përpara përfundimit të kontratës. Kjo sepse lënia e zgjedhjes mes dy çmimeve të papërcaktuara hyn në ndalimin e “bashkimit të dy shitjeve në një shitje të vetme”. Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se: “I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të) ka ndaluar [bashkimin e] dy shitjeve në një shitje të vetme.”
Ky hadith është regjistruar nga Imam At-Tirmidhiu, i cili ka thënë: “Ky hadith është Hasan dhe Sahih (i vërtetë), dhe dijetarët kanë vepruar sipas tij (e kanë përdorur si argument).”
Disa dijetarë e kanë shpjeguar këtë duke thënë:
“Bashkimi i dy shitjeve në një shitje është kur dikush thotë: ‘Ta shes këtë rrobë për dhjetë (monedha) nëse paguhet menjëherë me para në dorë, dhe për njëzet nëse paguhet me afat’, pastaj ndahen pa u marrë vesh për njërën nga këto dy mundësi. Por nëse ndahen pasi kanë rënë dakord për një çmim të vetëm, atëherë nuk ka asnjë problem, përderisa kontrata lidhet mbi njërën nga dy alternativat.”
Allahu e di më së miri.
Burimi:islamweb.net / solli në gjuhën shqipe pergjigje.net




