Pyetje:
Gruaja ime më akuzoi padrejtësisht për dhunë në familje dhe tani duhet të shkoj në gjyq për të vërtetuar pafajësinë time. Jam në dilemë të madhe, sepse kam një djalë me të, por nuk i besoj më dhe nuk ndiej siguri pranë saj.
A është ndarja zgjidhja e duhur në këtë rast?
Përgjigje:
Nëse gruaja ju ka akuzuar padrejtësisht për dhunë në familje, nuk ka dyshim se ajo ka gabuar rëndë me këtë veprim. Megjithatë, meqë Allahu ju ka dhënë një fëmijë me të, ju këshillojmë të mos nxitoheni në vendimin për divorc.
Është më mirë të përpiqeni për pajtim dhe përmirësim të marrëdhënies, duke kërkuar ndihmën e vëllezërve ose hoxhallarëve të dijshëm dhe devotshëm në qendrat islame, apo edhe të anëtarëve të urtë e të mençur të familjes suaj po dhe të saj.
Në të njëjtën kohë, bëni shumë lutje dhe namaz, duke iu drejtuar Allahut të Madhëruar për udhëzim dhe rrugëdalje. Ndoshta këto përpjekje të sinqerta do të jenë shkak që të rikthehet harmonia midis jush.
Nëse arrihet pajtimi, atëherë falënderimi i takon Allahut. Por nëse kjo nuk është e mundur, atëherë vlerësoni me kujdes dëmin që mund të vijë nga qëndrimi me të, krahasuar me dëmin që mund të sjellë ndarja, duke pasur parasysh më të miren për djalin tuaj.
Kërkojmë nga Allahu i Lartësuar t’ju udhëzojë drejt asaj që është më e drejta.
Allahu e di më së miri.
Burimi: https://www.islamweb.net/ Solli në gjuhën shqipe: pergjigje.net/


