Pyetje:

Gjatë teshehudit të parë imami qëndron shumë gjatë ulur. Unë e përfundoj “Et-tahijjatin” dhe ai ende nuk është ngritur. Atëherë e dërgova salavate mbi Pejgamberin(alejhi selatu ue selam), por imami ende nuk u ngrit. Çfarë duhet të bëj në këtë rast? Të qëndroj në heshtje, të bëj ndonjë dua të përgjithshme derisa të ngrihet, apo t’i përsëris salavatet?


Përgjigje:

Nëse imami e zgjat uljen në teshehudin e parë, disa dijetarë mendojnë se nuk duhet të dërgohen salavate mbi Pejgamberin(alejhi selatu ue selam), por të përsëritet vetë teshehudi, sepse kjo nuk është ulja e fundit, ku zakonisht dërgohen salavatet. Ky është mendimi i hanbelinjve.

Ndërkaq, disa dijetarë të tjerë kanë thënë se, nëse ulja zgjat shumë, nuk ka asnjë problem të lexohet “Salavatet Ibrahimije” (forma e plotë e salavateve që lexohet në uljen e fundit të namazit), apo të bëhen edhe lutje të përgjithshme.
Ky ishte mendimi që e preferoi shejh Ibn Uthejmini (Allahu e mëshiroftë).

Në çdo rast, asnjëra prej këtyre nuk është obligim, sepse obligimi është vetëm leximi i një herë i teshehudit.
Prandaj, nëse qëndron në heshtje dhe nuk thua asgjë tjetër pas teshehudit, namazi yt është padyshim i vlefshëm.

Allahu e di më së miri.

 

Burimi: https://www.islamweb.net/ Solli në gjuhën shqipe: pergjigje.net/