Pyetje

Unë ankohem prej një sëmundje në sistemin digjestiv dhe për këtë kurohem tek një mjek i krishterë prej më se dy muajsh përafërsisht, ngase nuk njihja tjetër mjek përveç tij derisa njoha një mjek musliman, tani a të largohem nga mjeku i krishterë e të shkoj tek mjeku musliman apo të mbes tek mjeku i krishterë për ta kompletuar mjekimin?!


 

Përgjigje

Lavd-falënderimi i takon Allahut!

Nëse ky mjeku i krishterë është besnik dhe i zoti në mjekësi, e ti ke filluar me të, nëse sheh tek ai avancim e punë të mirë, s’është problem të vazhdosh me të, e nuk e ke patjetër ta lësh e të shkosh tek mjeku musliman.

Me të vërtetë, mjeku ekspert, edhe nëse nuk është musliman, mund të harxhojë mund, kohë e pasuri të madhe për ty, e mbase Allahu e shkruan shërimin të ndodh tek sa kurohesh tek ai.

Muslimanët në të kaluarën, e po edhe sot akoma kërkojnë ndihmë mjekësore nga mjekët, po edhe nëse janë jomuslimanë.

Ibën Mukriu ka transmetuar në “Muëxhem”, (352) nga Mubarek ibën Seid, që ka thënë: Së pari kur Sufjan Thevriu filloi asketizmin, kishte mendim se është i sëmurë; atëherë urinën e tij e morëm në shishe, e shkuam tek një mjek i krishterë, e ai na tha: ‘shoku juaj nuk është i sëmurë, s’ka gjë tjetër veçse frikë, e kjo nuk është veçse urinë murgu’.”

Meruvdhiu ka thënë: “Kam parë një mjek të krishterë tek del nga Imam Ahmedi e me të ishte një murg, e tha: Ai më kërkoi të vijë me mua për ta parë Ebu Abdullahun”. “Sijer ealemi en-nubelai” (11/211).

Ibën Kajjimi, -Allahu e mëshiroftë!-, ka thënë: “Kur Profeti, -sal-lallahu alejhi ue selem-, e pagoi Abdullah ibën Urejkit el-Dejliun që ta shoqërojë për t’i treguar udhën në kohën e hixhretit, këtu ka argument për lejueshmërinë për t’u referuar tek jobesimtari në mjekësi, ilaçe, shkresa, kalkulime, defekte e të ngjashme si këto, përderisa nuk është afrim miqësie, ngase veç të qenit e tij jobesimtar nuk na detyron ne esencë të mos i zëmë besë në diçka, ngase s’ka gjë më të rrezikshme, se sa shoqërimi në rrugë për të ta treguar udhën, e aq më tepër në rastin në fjalë në udhën e hixhretit”. “Bedaiul-fevaid” (3/725).

Ibën Muflihu, duke përcjellë nga Shejhul Islam Ibën Tejmije, ka thënë: “Kur hebreu apo i krishteri është ekspert në mjekësi dhe i besueshëm tek njerëzit, i lejohet atij të kërkojë intervenim mjekësor, të deponojë pasuri e të ketë raporte me të, ashtu siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ka edhe aso ithtarësh të Librit, që sikur t’u besosh një barrë të tërë ari, do t’jua kthejnë, por ka edhe të atillë që nëse ua jep në besim, qoftë edhe një dinar, nuk ta kthen” (Ali Imran: 75).

E, po qe se i mundësohet atij të kërkojë mjekim nga muslimani, çështja qëndron sikur në çështjen e deponimit të raporteve, e nuk i takon t’i barazojë, porse nëse ka nevojë për kërkim të mjekimit dhe ka besë tek kitabiu, atëherë i takon kjo, porse pa ra në atë afërsinë e ndaluar ndaj hebreut dhe të krishterit, e nëse bisedon me atë që është më e mirë, kjo është diçka e mirë”. “El-Edab el-Sher’ijeh” (3/76).

Shejh Ibën Uthejmini, -Allahu e mëshiroftë!-, është pyetur: “A i lejohet gruas muslimane të kurohet tek një grua e krishtere?”, e ai u përgjigj: “Nëse i zë besë, atëherë s’ka problem; e argument për këtë kemi se i Dërguari, -sal-lallahu alejhi ue selem-, kur udhëtoi prej Mekës për në Medinë në hixhret, e shfrytëzoi një burrë mushrik, që e quanin Abdullah ibën Urejkit prej bijve të Ed-Dejl, që t’i tregojë udhën”. “Likaul-babilmeftuhe” (2/56).

Lusim Allahun për ju që t’ju shëroje e japë shëndet të plotë!

 

Nga arabishtja: M. Maliqi / /Revista Albislam Nr. 96/