Pyetja:

Unë jam në perëndim, dhe si zakonisht kur vjen Ramazani parashtrohet çështja e sadakatul fitrit, ku duhet ta japim, këtu ku agjërojmë apo ta dërgojmë në vendlindje?

***

Përgjigjja:

Sadakatul fitri është një element mjaft i rëndësishëm i Ramazanit dhe ka rëndësi të madhe për agjërimin e besimtarit. I Dërguari i Allahut ﷺ, ka thënë: ”Agjërimi rrin pezull ndërmjet qiellit dhe tokës derisa të jepet sadakatul fitri”. Pra, duhet kuptuar seriozisht dhe nuk duhet neglizhuar si dhe nuk duhet menduar se në Ramazan është me rëndësi vetëm agjërimi, e sadakatul fitri nuk ka ndonjë domethënie të veçantë.

Dijetarët islamë kanë theksuar se parimisht besimtari duhet ta jep sadakatul fitrin në vendin ku agjëron. Por, e kanë lejuar edhe transferimin si të zekatit po ashtu edhe të sadakatul fitrit.

Për këtë, pasi në perëndim nuk ka raste të varfërisë ekstreme që do të legjitimonte dhënien e sadakatul fitrit, mendoj se do të ishte më e rrugës për momentin që sadakatul fitri të dërgohet në vendlindje, ngase nevojat e njerëzve janë shumë më të mëdha dhe numri i të varfurve është shumë më i madh se sa në perëndim.

Normalisht, me këtë rast nuk duhet treguar dorështërnguar ashtu që të jepet sadakatul fitri sipas standardit të vendlindjes, por le të jepet sipas standardit në perëndim që të jetë më e dobishme për të varfurit.

Po ashtu, nuk duhet ndalur vetëm në sadakatul fiter, por në muajin e Ramazanit duhet dhënë sa ma tepër lëmoshë, ngase shpërblimi për veprat e mira është ma i madh. Vetë edhe Muhamedi ﷺ, ka qenë më bujar në muajin e Ramazanit. Është transmetuar prej Ibn Abasit se ka thënë: ”I Dërguari i Allahut ﷺ ishte njeriu më bujar, edhe më bujar ishte në Ramazan, ngase Xhibrili alejhisselam i vinte të Dërguarit të Allahut ﷺ për çdo natë gjatë Ramazanit dhe ia dëgjonte Kuranin, deri në mbarim të tij (të muajit të Ramazan). E kur i vinte Xhibrili, i Dërguari i Allahut ﷺ, ishte më bujar për të mirën edhe se era që sjell shi.” [1] Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

—————————

[1] Buhariu dhe Muslimi