Pyetja:

Kam shkruar më herët hajmali por tash e kam kuptuar se hajmalia është shirk. A ka mundësi të më falet ky gjynah pasi nuk e kam ditur?

***

Përgjigjja:

Padyshim se Allahu ka lënë rrugën hapur për t’u penduar nga mëkatet e bëra. Pendimi i sinqertë i shlyen veprat e papëlqyera tek Allahu. Allahu i Madhërishëm thotë:

Allahu është pranues i pendimit vetëm për ata që bëjnë ndonjë të keqe nga padituria dhe pendohen shpejt. Pra, këtyre Allahu ua pranon pendimin. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Nuk pranohet pendimi i atyre që vazhdimisht bëjnë të këqija e, kur u afrohet vdekja, atëherë thonë: “Unë tani me të vërtetë po pendohem”. As për ata që vdesin duke qenë jobesimtarë. Për këta, Ne kemi përgatitur dënim të dhembshëm.” (Nisa’, 1718)

Pra, ka mundësi të pendoheni sinqerisht, dhe kjo nënkupton që të ndiheni keq për veprën e bërë më herët, të kërkoni falje tek Allahu për t’ua falur atë mëkat dhe që mos ta përsërisni më asnjëherë. Me këto kushte mund të konstatohet se pendimi është i sinqertë dhe më pas mund të shpresohet fuqishëm në faljen e atij mëkati, respektivisht shkrimi i hajmalisë.

Fakti i paditurisë për dispozitën e hajmalisë në këtë kohë në vendin tonë, aspak nuk e arsyeton këtë mëkat, pasi ata që i shpjegojnë këto dispozita janë prezentë në vendin tonë dhe dituria i është lehtësuar shumë njerëzve, nëse ata janë të interesuar që të mësojnë diç nga feja e Allahut.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku