Pyetja:

Kur (engjëjt) Munker dhe Nekir marrin në pyetje të porsavdekurin dhe ai nuk përgjigjet, a do të ndëshkohet ai deri në Ditën e Llogarisë, apo vetëm për një periudhë të caktuar?

***

Përgjigjja:

Pyetja nuk është formuluar si duhet. Mbase pyetësi dëshiron të thotë “ai nuk pohon misionin e Muhamedit” në vend të “ai nuk përgjigjet,” meqë në asnjë nga hadithet nuk përmendet se ndonjë që merret në pyetje refuzon të përgjigjet. Përgjigjet e përcjella lidhur me këtë janë ose “Ai është Muhamedi, i cili na e solli të vërtetën” apo përgjigje të ngjashme, që bartin domethënien e njëjtë, ose “Nuk di! Dëgjoja të tjerët të flisnin diçka dhe unë thosha siç thoshin ata,” si dhe shprehje me domethënie të ngjashme. Ndoshta me thënien “ai nuk përgjigjet” pyetësi mendon se “ai nuk përgjigjet si duhet.”

Përgjigja është se ndëshkimi i mosbesimtarit (qafir) dhe i hipokritit (mynafik) të zhytur në një hipokrizi që e bën atë mosbesimtar (nifak kufr) është i pafund. Në disa zinxhirë transmetimi (isnad) të hadithit të gjatë të transmetuar nga el-Bera ibn Azib (që u shënua nga Ahmed dhe u vlerësua si sahih nga Ebu Awaneh në ‘Kaptina mbi Mënyrën e Marrjes në Pyetje në Varr’ [Sifat el- Muse’eleh fi ’l-Kabr), Pejgamberi ﷺ thotë në fund: “ … pastaj  hapet një çarje nga Xhehenemi dhe tymi e mjerimi lejohen të fryjnë në varrin e tij deri në Ditën e Gjykimit …” Në një tjetër transmetim thuhet: “ … pastaj një qenie e shurdhër, memece dhe e verbër caktohet mbi të. Kjo qenie do të ketë një shufër hekuri aq të rëndë sa, sikur të goditej me të një mal, do të thërrmohej. Ajo qenie do të godasë të vdekurin me një të rënë që do ta thërrmojë atë (të vdekurin). Menjëherë pas kësaj ai do të rigjenerohet dhe ky proces do të vazhdojë (pafundësisht) …”

Në transmetimin e Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të) Pejgamberi ﷺ thotë: “…toka do të urdhërohet ‘Bashkohu!’, pas çka (anët e varrit) do ta ndrydhin atë (të vdekurin), aq sa edhe brinjët do t’i gërshetohen dhe muret (e varrit) do të ngjiten mes vete. Ai do të mbetet në këtë gjendje ndëshkimi, derisa Allahu ta ringjallë nga varri në Ditën e Gjykimit.” [1]

Në transmetimin e Ebu Se’di (Allahu qoftë i kënaqur me të) Pejgamberi ﷺ thotë: “… ai (varri) do të bashkohet, derisa (të vdekurit) t’i gërshetohen brinjët mes vete. Pas kësaj, mbi të do të lëshohen 70 gjarpërinj me asi helmi që, po ty frynte në tokë njëri prej tyre, tërë jeta do të mbaronte. Ata do ta kafshojnë atë dhe do t’ia ndukin mishin (më dhëmbët e tyre), derisa të vijë koha që ai të ringjallet për të dhënë llogarinë për veprat e tij.” [2]

Bashkërenditja e këtyre versioneve të haditheve është që të thuhet se ndëshkimi i mosbesimtarëve në varr do të jetë i ndryshëm. Ibn ebi Dunja përcjell në El Kubur-in (Varret) e tij paralajmërimin e Sha’bit: “Teksa një burrë po ecte pranë varrezave, pa një të vdekur duke u ngjitur në përpjekje për të dalë nga varri. Menjëherë u shfaq një tjetër i cili e goditi atë aq shumë sa banori i varrit ra mbrapa në varr. Burri zuri të ikte nga varrezat dhe ngarendi për ta informuar të Dërguarin e Allahut ﷺ i cili thjesht ia ktheu: ‘Ai ishte Ebu
Xhehl ibn Hisham, i cili do të ndëshkohet deri në Ditën e Gjykimit.’”

Hafidh Ibn Haxher el-Askalani, Fetvatë mbi akidenë Islame

—————————————————

[1] Transmetuar nga Ahmedi, Tirmidhiu dhe po ashtu i cilësuar si sahih nga Ibn Hibban në “Mënyra e Marrjes në Pyetje” [Sifat el-Muse’eleh].

[2] Tirmidhiu.