A ka të drejtë që nëna t’ia vendos emrin fëmijës së saj më shumë se babai, apo miratimin përfundimtar duhet ta japë babai për emrin që do të mbajë fëmija?
Në Ditën e Gjykimit, a thirren njerëzit duke u referuar te nëna apo duke u referuar te babai, pra: filanja/filani, e bija/i biri i filanit/filanes?
Përgjigja:
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij.
Ue alejkum selam ue rahmetullahi ue berekatuhu!
▣ Së pari: Emërtimi i fëmijëve qofshin ata djem apo vajza është një e drejtë e përbashkët e prindërve në rastin e pëlqimit dhe pajtimit reciprok.
Dhe secili e jep mendimin e tij duke rënë dakord për përzgjedhjen e emrit.
Por nëse ka ndonjë mospërputhje në mes tyre për emërtimin e fëmijës, atëherë në këtë rast ka të drejtë më shumë babai i fëmijës sesa nëna që ta emërtojë fëmijën dhe është babai ai që jep vendimin përfundimtar të emërtimit të fëmijës dhe jo nëna.
▣ Së dyti: Fëmijët i adresohen babit dhe thërriten me emrat e tyre.
Dëshmi për këtë që fëmijët thërriten me emrat e baballarëve të tyre dhe jo të nënave është Fjala e Allahut:
{ادْعُوهُمْ لِآبَائِهِمْ هُوَ أَقْسَطُ عِندَ اللَّهِ}
“Ju thirrni ata në emrat e etërve të tyre, kjo është më e drejtë te All-llahu” [Ahzab: 5]
▣Së treti: Ditën e Gjykimit njerëzit do të thërriten duke iu referuar babait dhe jo nënës. Dhe mendimi që njerëzit thërriten Ditën e Gjykimit duke iu referuar nënës së tyre nuk është i saktë dhe bie në kundërshtim me atë që është vërtetuar në hadithet e sakta që dëshmojnë se njerëzit thërriten Ditën e Gjykimit duke iu referuar baballarëve tyre.
Buhariu ka titulluar një nga kapijtujt në sahihun e tij:
“Kapitulli: Njerëzit thërriten me emrat e baballarëve të tyre”.
Dhe ka përmendur hadithin e Ibn Umerit – Allahu qoftë i kënaqur me të-, se Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të- ka thënë:
(إِنَّ الْغَادِرَ يُرْفَعُ لَهُ لِوَاءٌ يَوْمَ الْقِيَامَةِ يُقَالُ هَذِهِ غَدْرَةُ فُلَانِ بْنِ فُلَانٍ ).
“Çdo tradhtari e të pabesi do t’i ngrihet një flamur Ditën e Kijametit dhe do të shpallet hapur: “Kjo është tradhtia e mashtrimi i filanit, i birit të filanit’.”
(Buhariu, nr. 6177; Muslimi, nr. 1735).
Me të cilin vërtetohet se njerëzit ditën e Gjykimit thërriten duke iu referuar babait: filani i biri i filanit.
Allahu e di më së miri!
Dr. Adelina Kuçana




