Pyetja:
Në xhenet a shkojnë vetëm muslimanët apo edhe njerëz prej feve të tjera?
***
Përgjigja:
Çdonjëri prej nesh duhet ta ketë të qartë parimin e përgjithshëm në këtë temë, hyrjen në xhenet dhe vendbanimin e përhershëm në xhehenem. Kjo çështje është e lehtë për t’u kuptuar, ngase është shpjeguar qartë në hadithin e të Dërguarit të Zotit [ﷺ]. Xhabiri r.a. transmeton se ka ardhur një njeri te Pejgamberi [ﷺ] dhe i ka thënë: “O i Dërguar i Allahut! Cilat janë dy virtyte që obligojnë (cili virtyt obligon hyrjen në xhenet dhe cili obligon hyrjen në xhehenem)?” Pejgamberi [ﷺ] ka thënë: “Kush vdes duke mos i bërë shirk (ortak, shok) Allahut hyn në xhenet, kurse kush vdes duke i bërë shirk Allahut hyn në xhehenem.”[1]
Ky hadith na sqaron se kush vdes duke besuar Zotin hak, ashtu siç Ai kërkon, ka për të hyrë në xhenet qoftë edhe pas një kohe. Ndërsa ai që vdes duke i bërë Allahut kufër, shirk, ortak, do të hyjë në xhehenem dhe kurrë nuk do të dalë prej tij. Ky është parim i prerë që domosdo duhet ta dijë çdo musliman dhe nuk lejohet kurrfarë diskutimi rreth tij, ngase këtë parim e forcojnë dhe e mbështesin shumë ajete e hadithe në formë të prerë dhe të qartë. Allahu xh.sh. thotë:
“S’ka dyshim se Allahu nuk fal (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (kufrin, shirkun), e përpos këtij (mëkati) i fal kujt të dojë. Kush i përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (Nisa: 48)
Kjo do të thotë se kush vdes si qafir apo si idhujtar, nuk do t’i falen mëkatet në Ditën e Gjykimit dhe se ai do të jetë përgjithmonë në xhehenem.
Gjithashtu, Allahu xh.sh. thotë:
“Ata që nuk besuan dhe vdiqën si jobesimtarë, asnjërit prej tyre nuk do t’i pranohet për kompensim, qoftë edhe plot faqen e dheut me ar. Ata i pret një dënim i dhimbshëm dhe për ta nuk ka ndihmëtarë.” (Ali Imran: 91)
Kjo do të thotë se çfarëdo punësh të mira të kenë bërë në këtë dynja, përderisa kanë vdekur si jobesimtarë, nuk do t’u pranohen ato punë, qofshin edhe sa toka.
Allahu xh.sh. në shumë ajete përshkruan cilësitë e atyre që do të hyjnë në xhenet:
“…e kush bën ndonjë vepër të mirë, qoftë mashkull a femër, por duke qenë besimtar (musliman), të tillët hyjnë në xhenet dhe aty shpërblehen pa masë.” (Gafir: 40)
“Ata që thanë: ”Allahu është Zoti ynë dhe qëndruan besnikërisht, për ta nuk ka frikë dhe ata nuk do të pikëllohen. Të tillët janë banues të xhenetit, aty do të jenë përgjithmonë, atë e kanë shpërblim për veprat që bënë.” (Ahkaf: 13-14)
Ata që thanë ‘La ilahe il-lAll-llah’ dhe vepruan vepra të mira, punuan sipas fjalës ‘La ilahe il-lAll-llah’, ata do të jenë banues të xheneteve.
Xheneti është vendbanim i përhershëm që është përgatitur si shpërblim për besimtarët muslimanë që u kanë besuar shpalljeve të Pejgamberëve të tyre, duke përfshirë të gjithë Pejgamberët dhe pasuesit e tyre, duke filluar prej kohës së Ademit alejhi selam e këndej.
Pra, muslimanë konsiderohen ata besimtarë që kanë jetuar në kohën e Musait alejhi selam dhe kanë vepruar sipas mësimeve të Tevratit derisa i ka zbritur Inxhili Isait alejhi selam. Të gjithë ata që i kanë besuar Isait alejhi selam dhe kanë vepruar sipas mësimeve të Inxhilit në kohën e tij janë muslimanë. Me shpalljen e Pejgamberit të fundit, Muhamedit [ﷺ], veprimi sipas mësimeve të librave të mëhershëm (Tevratit, Zeburit dhe Inxhilit) është anuluar duke u zëvendësuar me shpalljen e Kur’anit, i cili është anulues i të gjitha shpalljeve të mëhershme. Prandaj e vetmja rrugë që na mundëson hyrjen në xhenet është pasimi i Islamit, ngase Allahu i Madhërishëm e ka refuzuar kategorikisht pranimin e ndonjë feje tjetër. Allahu xh.sh. thotë:
“E kush kërkon fe tjetër përveç fesë islame, atij kurrsesi nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër është nga të dëshpëruarit.”(Ali Imran: 85)
Ndërsa Muhamedi [ﷺ] ka thënë: “Nuk hyn në xhenet vetëm se muslimani.”[2]
Pra, pa qenë musliman nuk ka xhenet.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
————————————————————
[1] Muslimi, nr. (93) 151
[2] Muslimi, nr. (1142) 145