Pyetja:

Ne, femrat kur i kemi sytë të lyer dhe marrim abdes, na lerosen (na zhyten) sytë. A bën që vetëm fytyrën ta lagim, pa i lagur sytë, a e kemi në rregull abdesin?

***

Përgjigja:

Larja e fytyrës është kusht për vlefshmërinë e abdesit. Me fytyrë kuptojmë pjesën që përfshihet nga veshi në vesh për së gjeri dhe nga fundi i mjekrës (ashtit të mjekrës) deri tek balli lart për së gjati. E brenda këtij kufiri futen gjithsesi edhe sytë, gjegjësisht kapakët e syve. Andaj, abdesi nuk mund të jetë i vlefshëm nëse nuk mënjanohen të gjitha gjërat që e pengojnë depërtimin e ujit në lëkurë, si dhe nëse ndonjë pjesë e fytyrës nuk laget, e vogël qoftë apo e madhe; ashtu siç nuk pranohet nëse ndonjë pjesë e gjymtyrëve farz të abdesit mbetet pa u lagur, sado e vogël qoftë.

Në rastin konkret, për motrat, të cilat e lyejnë fytyrën me krem kozmetik, mënyra më e mirë për to do të ishte që para lyerjes së fytyrës të marrin abdes dhe në këtë mënyrë kanë mundësi të falin namaz dhe në të njëjtën kohë të kenë në fytyrë kozmetikë (grim). Përndryshe atyre u duhet të marrin abdes dhe t’i lagin edhe sytë, ani pse i kanë të lyer, pavarësisht a u fshihen gjurmët e kozmetikës apo mbesin, me rëndësi është që të lagen.

Shfrytëzojmë rastin t’ua tërheqim vërejtjen shumë motrave, të cilat e lënë namazin pa e falur për shkak të kozmetikës, ose nëse marrin pjesë në ndonjë gazmend e vonojnë faljen e namazit dhe në fund të ditës i falin namazet kaza. Kjo praktikë nuk ka asnjë bazë në Islam, ngase mosfalja e namazit në kohën e vetë është prej mëkateve më të mëdha. Pastaj një besimtare, e cila i beson Allahut dhe Ditës së Llogarisë, si mund të ia lejojë vetes që të mos e falë namazin për shkak të kozmetikës?! Allahu i udhëzoftë motrat tona! Amin!

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi