Pyetje:

I nderuar hoxhë! A është mëkat të luajmë futboll?

***

Përgjigjje:

Futbolli si sport në parim është i lejuar ngase në të ka gjimnastikë, rekreacion dhe dobi fizike e psikike për njeriun. Mirëpo nëse futbolli si lojë keqpërdoret dhe bëhet shkak për kryerjen e akteve të ndaluara, atëherë mund të ketë dispozitën e së ndaluarës.

Që loja e futbollit të jetë e lejuar duhet të respektohen disa rregulla, prej të cilave përmendim:

  1.  Përkujdesja për kohët e namazit dhe obligimet e tjera fetare.
  2. Loja mes dy ekipeve të mos jetë me participim në të holla. Nëse loja e futbollit luhet me participim të lojtarëve me të holla dhe në fund ekipi fitues i merr këto të holla, në këtë rast kjo formë loje është e ndaluar ngase hyn në kategorinë e bixhozit. Por nëse fituesve u jep para dikush tjetër, si shteti fjala vjen, në këtë rast nuk ka dert, lejohet.
  3. Gjatë lojës të mos zbulohen vendet e turpshme të trupit dhe të mos ketë përzierje të meshkujve me femrat.
  4. Gjatë lojës të mos shfaqet nervozizmi, fanatizmi ekipor, ofendimet, sharjet e veprime të ngjashme me këto, etj..

Rregullat e njëjta vlejnë edhe për lejimin e shikimit të ndeshjeve të futbollit.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi