Pyetja:

Kam vërejtur në TV nga kanalet e shteteve arabe gjatë faljeve të teravive se asnjëri nuk jep ligjëratë, kurse unë shkoj nëpër namazet e teravive d.m.th. çdoherë pas 4 rekateve imami jep ligjëratë. A ka ndonjë argument nga i Dërguari i Allahut, ﷺ, apo sahabët, apo nga selefët tanë se ata kanë dhënë ligjëratë në kohën e teravive, qofte 8 rekate apo 20 rekate. Nëse nuk ka argument, a hyn kjo në çështjen e bidatit? Ju lutem më jepni ndonjë argument.

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen, mbi shokët dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Ligjëratat ose përkujtimet të cilat zakonisht mbahen para fillimit të namazit të teravive ose në mes tyre lejohet të mbahen, por nuk është mirë që të jenë të përhershme, për shkak se vazhdueshmëria me këto ligjërata ka mundësi që dikë ta bëjë të mendojë se kjo është pjesë e namazit të teravive ose është nga gjërat e preferuara. Hoxhallarët të cilët kanë folur për këtë dukuri, kanë thënë se imami (posaçërisht në trojet tona) nuk ka rastin të takojë xhematin e tij në këtë formë të rregullt (çdo ditë) vetëm se gjatë Ramazanit, pasi te ne shkojnë në teravi edhe njerëz të cilët nuk vijnë gjatë xhumave, apo gjatë këtyre ditëve janë më të përkushtuar se herëve të tjera dhe u japin rëndësi teravive më shumë se të tjerave. Prandaj është e nevojshme që imami ta shfrytëzojë këtë tubim që t`i mësojë, këshillojë dhe t`ua tërheq vërejtjen për gjërat elementare të cilat duhet t`i dijë çdo musliman, por që për fat të keq shumë nga ata nuk kanë njohuri për to. Duke mos u zgjeruar shumë, themi se ajo që dihet nga Pejgamberi ﷺ dhe shokët e tij gjatë namazit të teravive është se nuk është mbajtur ndonjë ligjëratë e veçantë në këtë rast as para fillimit të tyre e as në ndonjë kohë tjetër gjatë teravive. Mirëpo ajo që vërtetohet nga ata është se pasi koha e faljes tek ata ishte e gjatë dhe falësit kishin nevojë për një pushim të vogël, ata pas dy apo katër rekateve pushonin, para se ta vazhdonin namazin. Ndoshta dikush do të thoshte se pse të mos praktikohet edhe te ne falja e teravive ashtu si në kohën e sahabëve dhe pse të mbahen ligjërata në këtë kohë? Themi se kjo do të ishte më e drejta, por realiteti i muslimanëve tani është ndryshe, pasi sahabët gjatë gjithë kohës, çdo ditë ishin të lidhur me xhaminë, kurse te ne, si thamë më herët, kemi muslimanë që nuk e njohin shkuarjen në xhami vetëm se gjatë Ramazanit, prandaj është e qëlluar që prezenca e këtij muslimani të shfrytëzohet dhe të mundohemi sa më shumë ta vetëdijesojmë atë rreth rëndësisë së Islamit për jetën e tij. Megjithëkëtë, themi se nuk është e qëlluar që këto ligjërata të jenë të pandërprera ose së paku është e nevojshme t`ua tërheqim vërejtjen që të mos mendojë dikush se këto ligjërata janë pjesë të pandashme të namazit të teravive. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi