Pyetja:

Lutjet e gjumit a duhen thënë shtrirë, apo ulur?

***

Përgjigjja:

Së pari, më duhet të theksoj se besimtari duhet ta përmendë Allahun çdo herë dhe në çdo situatë, me përjashtim të situatave kur nuk përmendet Allahu i Madhërishëm gojarisht dhe kur nuk lexohet Kuran, siç është rasti kur gjindet njeriu në WC.

Allahu i Madhërishëm i ka lavdëruar ata të cilët e përmendin Atë në të gjitha situatat, gjegjësisht kur janë në këmbë, ulur dhe të mbështetur apo të shtrirë. Allahu i Madhërishëm ka thënë: ’’Për ata që Allahun e përmendin me përkujtim kur janë në këmbë, kur janë ulur, kur janë të shtrirë dhe thellohen në mendime rreth krijimit të qiejve e të tokës (duke thënë): Zoti ynë, këtë nuk e krijove kot, i lartësuar qofsh, ruana prej dënimit të zjarrit!” (Ali Imran: 191)

Edhe pse ky ajet komentohet se aludon në namazin, gjegjësisht nëse nuk mund ta falësh në këmbë, fale ulur, nëse jo edhe ulur, atëherë i mbështetur, poashtu e përfshinë edhe përmendjen e Allahut në përgjithësi, gjë që kuptohet qartë nga vetë kuptimi tekstual i fjalëve që përmban ajeti. Për atë, besimtari e përmend Allahun qoftë në këmbë, qoftë ulur apo qoftë shtrirë.

Edhe leximi i Kuranit është formë e dhikrit -përmendjes së Allahut të Madhërishëm, edhe atë nga format më madhështore, ngase përmendet Allahu përmes leximit të fjalëve të Tij. Nga ky aspekt, mund të thuhet se bën të lexohet Kuran edhe kur je i shtrirë në shtrat.

Poashtu, në këtë drejtim flet edhe hadithi se i Dërguari i Allahut ﷺ ka lexuar Kuran duke qenë i mbështetur në prehrin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!). [1]

Imam Neveviu, ka theksuar se ky hadith është argument se lejohet leximi i Kuranit edhe i mbështetur dikund, edhe i shtrirë. [2]

Pra, dijetarët kanë sqaruar se nuk ka ndalesë fetare që të lexohet Kur’an duke qenë i shtrirë në shtrat. Por, duhet patur kujdes që nëse lexohet nga Mus’hafi, duhet të jetë personi me abdes.

Pyetja e juaj ka të bëjë me suret e Kuranit që lexohen para se të flejmë. Në këtë rast, do të kisha preferuar që t’i lexoni duke qenë ulur, pra ende pa u shtrirë, edhe pse nuk ka ndalesë të lexohen edhe shtrirë. Ndërkaq, pasi të shtriheni, do të preferoja që të bëni dhikër të përgjithshëm, pra ta përmendni Allahun me dhikre të përgjithshme dhe duke medituar rreth asaj që ka krijuar Allahu i Madhërishëm.

Normalisht, kjo që e them unë, e që në fakt e kanë thënë dijetarët e mëdhenjë shumë më herët, nuk duhet të keqkuptohet, gjegjësisht dikush mund të mendojë se leximi i Kuranit shtrirë është nënçmim për Kuranin. Jo, nuk është ashtu, ngase Allahu duhet të përmendet në të gjitha gjendjet, siç përmend edhe ajeti i mësipërm, por normalisht se kur është në pyetje leximi prej Mus’hafi, më e preferuar është që të jemi të ulur si duhet. Ndërkaq, kur lexojmë përmendësh, nuk prish punë edhe nëse lexohet i shtrirë. Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

——————————

[1] Buhariu dhe Muslimi

[2] Sherh Sahih Muslim