Pyetja:

A lejohet të martohem me një djalë jofetar? Me shpresë që Allahu do ta udhëzoj në të ardhmen.

***

Përgjigjja:

Thuajse pikërisht në këtë temë aludon hadithi lidhur me Fatima bint Kajs (Allahu qoftë i kënaqur me të), ku ajo i drejtohet të Dërguarit të Allahut ﷺ dhe e informon se, individë të caktuar i kanë ofruar asaj martesë, dhe, me të marrë vesh emrat e tyre, i Dërguari i Allahut ﷺ i thotë: “Sa i përket Ebu Xhehilit, ai nuk e largon shkopin nga krahu i tij (i rrah gratë), ndërsa Mu’awije është i varfër. Por, martohu me Usamen.” [1]
Në qoftë se do të thuhej: Si mund të thotë i Dërguari i Allahut ﷺ se Muawije është i varfër, kurse ai (i Dërguari i Allahut ﷺ) nuk e di? A nuk është e mundshme që ai (Muawije) të bëhet i pasur (në të ardhmen)? Dhe, në fakt, kështu edhe ndodhi: Muawije u bë sundimtar, madje u bë një nga sundimtarët më të pasur.
Ne themi: Nga ky hadith mund të nxirret një përfitim jetik: të merret parasysh ajo që është e dukshme, jo ajo e cila mund të ndodhë në të ardhmen. Kushtoni vëmendje këtij parimi: individi nuk është i autorizuar t’i shqyrtojë çështjet e fshehta, por ai është përgjegjës vetëm për atë që është e qartë për të. Rrjedhimisht, ne e dimë përgjigjen në pyetjen e zakonshme (si kjo më lart). Kjo ndodh, kur një person i cili nuk e praktikon fenë kërkon të martohet me një femër fetare. Femrës i pëlqen të martohet me të, andaj thotë: ‘Është e mundur që Allahu ta udhëzojë këtë njeri përmes meje në të ardhmen’. Kjo (udhëzimi i burrit) mund ose nuk mund të realizohet në të ardhmen. Ajo nuk mund ta dijë këtë, por një gjë është e sigurt: ky njeri nuk është duke e praktikuar fenë. Pra, nëse femra thotë: ‘Është e mundur që Allahu ta udhëzojë atë përmes meje’, ne i përgjigjemi: ‘Po ashtu është e mundur që Allahu të të çojë në rrugë të gabuar përmes tij!’ Të dyja këto rezultate janë të mundshme, madje ka më shumë gjasa që ti (femra) të devijosh nga burri me të cilin martohesh, për shkak se autoriteti dhe ndikimi i burrit mbi gruan është shumë më i madh se autoritetit i saj mbi të. Po ashtu, sa e sa burra bëjnë presion mbi gratë e tyre për të kryer diçka që burri dëshiron dhe, për shkak të këtij presioni, gruaja bie në diçka që as vetë nuk e pëlqen. Kjo gjë është e njohur dhe e vërtetuar. Përfitimi më i rëndësishëm në këtë çështje është se personi është përgjegjës për atë që është e dukshme, jo për atë që do të mund ose nuk do të mund të ndodhte në të ardhmen.

Shejh Uthejmini, “Fet’hul Dhi Xhelali wel-Ikram bi Sherh Bulugh el-Maram”, vëll.11

——————————

[1] Muslimi