Pyetja:
Megjithëse po kryhen të gjitha amoralitetet, pse nuk shkatërrohen kombet kolektivisht?
***
Përgjigjja:
Që në krye të herës, krahas ndëshkimit në jetën e pastajme të fiseve ose popujve të degjeneruar e të shthurur, si diçka absolute dhe e paracaktuar, kjo,shumë herë është zbatuar edhe ndëshkimi në këtë botë me qëllime edukimi. Me të vërtetë, ndëshkimi për fisin e Lutit është rrëqethës dhe mësimdhënës. Vendbanimet e quajtura Sodom dhe Gomorre ku ka qenë i dërguar me detyrën profetike Luti, janë rreth Detit të Vdekur. Ato vendbanime janë rrafshuar në një natë duke lëshuar vetëm një klithmë. Kur’ani që tregon gjer në hollësi për popullin e Lutit bashkë me mëkatet e turpshme dhe fundin e tyre të keq, na e përcjell me hollësi edhe popullin e Nuhut: “Dhe doli tufani…” Tokat e botës së asaj dite mbeten nën ujë, detet lëshojnë avuj, nga qiejt rrjedhin shira, nga nëntoka shpërthejnë ujra dhe gjithë ajo popullsi e degjeneruar shkatërrohet… Por shpëtojnë me ndërhyrjen e Zotit vetëm një grup i vogël që hipën në varkën e Nuhut, sipas disa haditheve të dobëta, rreth 60-70 vetë. Pastaj njerëzimi shtohet prej këtyre. Duke i lënë mënjanë arkeologët të merren me zbulimin e provave dhe kërkimet mbi vendin dhe mënyrën e zhvillimit të kësaj ngjarjeje, ne le të merremi me atë që na përket neve.
Me të vërtetë, qoftë ata që nuk janë muslimanë, [1] qoftë edhe ata që janë muslimanë, [2] që të gjithë sot janë duke kryer shumë gjëra të mallkuara. Në Europë, Amerikë dhe vende të tjera që e kanë dëgjuar ftesën e Profetit Muhammed ﷺ po kryhen të tilla të këqia që, ç’është e vërteta, asnjëra prej tyre nuk janë kryer as në periudhën e Lutit, as në të Salihut e as në periudhën e Hudit.
Vetëm se e veçanta që përbën të qenit prej ummetit të tij pothuajse është bërë rrufepritës për njerëzimin. Me këtë rast do të ishte me vend të përmendnim sinjalizimin e një ajeti kur’anor që e mbështet këtë specifikë si dhe një sihariqin e Profetit ﷺ.
Në një ajet thuhet:
“Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata deri sa ti të jesh mes tyre dhe Allahu nuk do t’i ndëshkojë ata derisa (mes tyre ka që) kërkojnë falje.” (Enfal: 33)
Madje këtu, për të krahasuar madhështinë e pakrahasuar të të Dërguarit të Allahut ﷺ e shohim me vend të bëjmë të ditur këtë specifikë. Kur’ani na përcjell se Isai ka thënë kështu:
“…Nëse i ndëshkon ata, ata janë robtë e Tu e, në se i fal, pa dyshim që Ti je i Gjithfuqishmi e i Urti!” (Maide: 118)
Nga ajeti kuptohet se ummeti i Muhammedit ﷺ ka dy rrufepritës të rëndësishëm dhe dy bariera të rëndësishme. Të këqiat me këta rrufepritës do të bëhen të padëmshme dhe ndëshkimet nuk do t’i kapërcejnë dot këto barriera. E para: personaliteti moralo-shpirtëror i Muhammedit ﷺ që ndodhet mes nesh – Zoti e vazhdoftë gjer në kiamet! – dhe e dyta: ekzistenca, mes ummetit të Muhammedit, e një grushti njerëzish të shërbimit e të pendesës të cilët i dalin për zot të drejtës e të vërtetës e që i drejtohen vazhdimisht Allahut. Prandaj edhe presim që Allahu me mëshirën e Tij ne, e, veçanërisht, kolektivisht të mos na ndëshkojë!
Sa për hadithin, porosinë profetike, në atë trajtë që e kemi parë në librat e hadithit të vërtetë, Profeti ﷺ i është lutur shumë Zotit për të mos e shkatërruar ummetin e tij. Më e rëndësishmja e kësaj lutjeje është bërë në Haxhin e Lamtumirës të Profetit në Arafat dhe Myzdelife. Në ato dy vende të bekuara ai u lut për shumë gjëra në atë dimension që iu frymëzua prej Allahut. Madje ai u lut e u përgjërua edhe për faljen e të drejtave të robit. Por nuk di ç’të them në se kjo gjë u pranua, apo jo.
Po, shumë lutje e përgjërime pat bërë ai që ummeti i Muhammedit ﷺ të mos shkatërrohet. Këtë ai ua tregonte kështu shokëve të tij: “Unë i kërkova Zotit që të mos e shkatërronte ummetin tim. Im Zot ma pranoi këtë lutje. Dhe tha: “Shkatërrimi i tyre do të ndodhë mes tyre. Kur të bëjnë gjynahe, unë do t’i hedh kundër njëri-tjetrit”. Unë i kërkova që edhe këtë ta anulonte, por Zoti nuk e anuloi”.
Po, zgjidhja e çështjeve me vullnetin e njerëzve nuk ishte anuluar. Kur fiset dhe popujt e tjerë të bëjnë mëkate, do të shkatërrohen prej fatkeqësive tokësore e qiellore, kurse ummeti i Muhammedit do të hidhen kundër njëri-tjetrit, marrëveshjet mes tyre do të prishen dhe ata do të tronditen nga kontradiktat. Ja, pra, për këtë e luti shumë Zotin i Dërguari i Madh, por Zoti – urtësinë e tij Ai vetë e di – nuk ia pranoi.
Do të parashtroj edhe këtë veçanti si një paralajmërim kur’anor e si pohim të njerëzve të urtë. Në se diku, sado pak, ekziston një shërbim i sinqertë për fenë e për Kur’anin dhe atje nuk ka rrezik që njerëzit e të drejtës të munden, bashkësia që e kryen këtë punë, si të ishte një rrufepritëse, do të bëhet pretekst për largimin e të këqiave. Po, edhe sikur vetëm dhjetë burra të jenë që t’i shërbejnë fesë në këtë mënyrë, si një rrufepritës do të largojnë që aty të këqiat. Por në se njerëzit e së drejtës janë të mundur, Allahu i Lartë do t ‘i trondisë edhe ata.
Të drejtën e kësaj pune Allahu e di!