Mënyra e llogaritjes së zekatit në të holla

79. I nderuar hoxhë! A duhet të nxirret zekati vetëm nga ato para të cilat nuk i shfrytëzon, d.m.th. i ruan, apo  edhe nga ato që  ke në qarkullim, p.sh. ndonjë biznes?

Përgjigjja: Nëse pasuria që posedoni i plotëson kushtet që e obligojnë dhënien e zekatit, siç është arritja e nisabit (sasia e pasurisë të ketë vlerën e 85 gramë ar e sipër) dhe e zotëroni sasinë e pasurisë gjatë tërë vitit, atëherë obligoheni të nxirrni zekatin si për pasurinë që nuk e shfrytëzoni, d.m.th. e ruani, po ashtu edhe për pasurinë të cilën e përdorni për tregti. Allahu xh.sh. urdhëron dhe thotë:

”O ju që besuat, jepni nga më e mira e asaj që e fituat dhe nga ajo që ju dhamë prej tokës.” (Bekare: 267)

Shumica e komentatorëve të Kur’anit thonë se fjala e Allahut të Lartësuar: ”jepni nga më e mira e asaj që e fituat“, ka për qëllim tregtinë.  Allahu xh.sh. thotë:

“Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh me të dhe t’u shtosh (të mirat) dhe njëkohësisht lutu për ta, se lutja jote është qetësim për ta. Allahu dëgjon e sheh.” (Tevbe: 103)

Prandaj me rëndësi është zotërimi i pasurisë apo mallit tregtar, nuk është me rëndësi për çka është e destinuar ajo pasuri, për biznes apo për ruajtje për rezerva.

Zekati që obligohet të nxirret në këtë rast është një e katërta e të dhjetës, ose 2.5%. Kjo vlerë llogaritet sipas çmimit të arit në ditën në të cilën është bërë obligim të nxirret zekati.

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi