Pyetja:

A lejohet ta falim namazin në aeroplan?

***

Përgjigjja:

Së pari, personi mund t’i falë namazet vullnetare në aeroplan ndërsa është ulur, ngado që të jetë i kthyer aeroplani, duke bërë me gjest për ruku dhe për sexhde (duke ulur kokën), duke bërë sexhden më ulët sesa rukunë.

Së dyti, ai s’duhet të falë namazin e obligueshëm në aeroplan, përveç nëse ka mundësi t’i drejtohet Kibles gjatë gjithë namazit dhe, po ashtu, të jetë në gjendje të bjerë në ruku, të bjerë në sexhde, të qëndrojë në këmbë (kijam) dhe të ulet (teshehud).

Së treti, nëse ai s’ka mundësi ta bëjë këtë, duhet ta vonojë namazin, derisa të aterojë aeroplani dhe ai të falë namazin në tokë. Nëse ai ka frikë se do t’i kalojë koha e namazit para se të aterojë aeroplani, mund ta vonojë atë deri në kohën e namazit të radhës. Ky është rasti kur ke të bësh me njërin nga namazet që mund të bashkohet me një tjetër, si .p.sh. namazi i drekës me të ikindisë, namazi i akshamit me të jacisë. Nëse ai ka frikë se do të kalojë edhe koha e namazit të radhës, duhet t’i falë të dyja namazet në aeroplan, para se të përfundojë koha, dhe të zbatojë çfarëdo gjendje, shtylle dhe obligimi të namazit që është në gjendje ta kryej.

Për shembull, nëse aeroplani ngrihet pak para perëndimit të diellit dhe perëndon ndërsa ai gjendet në ajër, atëherë ai s’duhet ta falë namazin e akshamit, derisa të aterojë aeroplani në aeroport; nëse ka frikë se do të kalojë koha e jacisë – dhe ajo kalon në mesnatë – ai duhet t’i falë ato (akshamin dhe jacinë) në aeroplan para se t’u kalojë koha.

Së katërti, mënyra e faljes së namazeve të obligueshme në aeroplan është të drejtohesh nga Kibla dhe të marrësh tekbir, pastaj të lexosh suren Fatiha dhe fjalët që janë urdhëruar t’i lexosh para saj, siç është duaja hapëse (Subhaneke, etj) dhe disa ajete pas saj; pastaj të biesh në ruku, pastaj të drejtohet pas rukusë dhe të qetësohesh në këtë pozitë, pastaj të biesh në sexhde, pastaj të ngrihesh nga pozita e sexhdes dhe të qetësohesh në këtë pozitë, pastaj të biesh prapë në sexhde, pastaj të veprosh kësisoj me pjesën e mbetur të namazit. Nëse personi s’ka mundësi të bjerë në sexhde, duhet të bëjë me gjest për sexhde ndërsa është ulur. Nëse ai nuk e di Kiblen dhe s’gjendet askush i besueshëm për t’ia treguar atë, ai duhet të përdorë gjykimin e vet për ta gjetur atë dhe të falet sipas gjykimit që nxjerr.

Së pesti, namazi i udhëtarit në aeroplan shkurtohet, kështu që ai fal dy rekate në vend të katër rekateve, si udhëtarët e tjerë.

Shejh Ibn Uthejmin, “Fetawa Erkanul-Islam”, vëll. 2