Pyetja:

Kujt t’i drejtohet gruaja myslimane – gjermane apo perëndimore në përgjithësi- në rast se ka probleme familjare dhe konflikt me burrin?

***

Përgjigjja:

Në thelb, shoqëria islame duhet të jetë shoqëri solidare në të gjitha çështjet, anëtarët e saj duhet ta ndihmojnë njëri tjetrin, i forti e ndihmon të dobtin, i dituri e mëson të paditurin, përkrahet personi të cilit i është bërë padrejtësi dhe pengohet zullumqari nga zullumi. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:”Ndihmoji vëllait tënd, qoftë tiran apo i shtypur”. Disa e pyetën: ”O i Dërguar i Allahut, duhet t’i ndihmojmë nëse është i shtypur, po si t’i ndihmojmë nëse është tiran?” I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Ta ndalosh nga zullumi që bën, kjo është ndihmë për të”. [1]

Në rast se ndërmjet bashkëshortëve ndodhin zënka dhe mospajtime, dhe ata dy vetë nuk mund t’i zgjidhin problemet e tyre me mirëkuptim, atëherë shoqëria muslimane duhet të intervenojë duke formuar një “gjykatë familjare” të përbërë nga dy persona largpamës, të zgjuar, autoritativ dhe të aftë të gjykojnë, të cilët do të mundohen t’i pajtojnë dhe të gjejnë gjuhë të përbashkët mes tyre, nëse ka mundësi për diçka të tillë. Nëse nuk ka gjasa për pajtim, atëherë, këta dy persona që ndërmjetësojnë, gjykojnë për ndarjen e tyre, dhe ky gjykim i tyre ekzekutohet edhe ligjërisht. Kështu është vepruar në kohën e shokëve të Dërguarit të Allahut, Allahu qoftë i kënaqur me ta. Allahu i Madhërishëm u drejtohet muslimanëve e u thotë:

’’Nëse i frikësohen përçarjes mes tyre (burrit e gruas), dërgoni një pari të drejtë nga familja e tij dhe një pari të drejtë nga familja e saj. Nëse ata të dy (ndërmjetësuesit) kanë për qëllim pajtimin, Allahu ju mundëson afrimin mes tyre (burrit e gruas)…’’. (Nisa, 35)

Marrë parasysh se bashkëshortët, në rastin në fjalë, jetojnë në një shoqëri jomuslimane, kërkohet prej komunitetit musliman në çdo qytet që të formojnë një Këshill Arbitrazhi apo Këshill Pajtimi i cili do të përbëhet fjala vjen prej tre muslimanëve të urtë të cilët njihen si njerëz besnikë, mbajtës të sekreteve, mendjemprehtë, të moralshëm, fetarë dhe me autoritet e respekt në mesin e njerëzve. Njëri nga ata duhet të ketë njohuri për dispozitat fetare, pa qenë i ashpër dhe pa qenë neglizhent në to. Problemet bashkëshortore do t’u prezantohen atyre që t’i shqyrtojnë dhe do të mundohen sa të munden të gjejnë gjuhë të përbashkët e t’i normalizojnë raportet mes bashkëshortëve. Për këtë do të vendosin rregulla dhe me këto rregulla do t’i kushtëzojnë të dy palët. Të gjithë njerëzit duhet t’u ndihmojnë në këtë drejtim, me qëllim që komuniteti musliman të konsolidohet. Në hadith qëndron:”Dora e Allahut është me bashkësinë, e kush ndahet, ka mbaruar i ndarë në zjarr”. [2]

Nëse edhe pas tentimeve serioze dhe qëllimit fisnik, nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët mes tyre, atëherë para tyre nuk ngelet opsion tjerët pos që të sugjerojnë ndarje të bashkëshortëve në mënyrë korrekte dhe me mirësi, ashtu siç ka urdhëruar Allahu i Madhërishëm. Është thënë: ‘Nëse nuk ka bashkim, atëherë ka ndarje.’

Gjëja e lejuar më e urrejtur te Allahu është shkurorëzimi, mirëpo në disa raste, mund të jetë i domosdoshëm.

Allahu na ruajtë dhe na udhëzoftë!

Dr. Jusuf el-Kardavi
Përktheu: Bashkim Aliu

————————————

[1] Buhariu dhe Muslimi
[2] Hadithin e kanë shënuar Tirmidhiju dhe tjerë.