Pyetja:

Duke nisur nga parimi që tatimet janë të hyrat e një shteti, dhe kanë një rol të rëndësishëm në funskionimin e shtetit, dëshiroj të bëhet një lidhshmëri në mes zekatit dhe tatimeve? Cili do të ishte roli i zekatit sot për përmirësimin e situatës ekonomike në vend?

***

Përgjigjja:

Ndikimi i zeqatit në zhvillimin ekonomik e social, dhe në rrjedhat e përgjithshme fiskale dhe ekonomike në shtet, është një temë që don përpunim dhe analizë të thellë, e që në një përgjigje të shkurtër nuk mund të rrumbullaksohet.

Megjithatë, shkurtimisht do të nënvizoj pikat vijuese:

– Zeqati ka synim kryesor të vetin ta pengoj mbylljen e pasurisë nga qarkullimi, por e stimulon investimin dhe qarkullimin e pasurisë në mes shtresave të ndryshme të shoqërisë e jo mbylljen e kapitalit së pari në llogari personale dhe mosinvestimin e tij, dhe së dyti mbylljen e kapitalit në një rreth të caktuar njerëzish.

Në të drejtën islame një tokë nuk bën të mbetet pa u punuar mbi tre vjet, gjë që nënkupton që pasuritë tjera duhet të vehen gjithqysh në qarkullim.

– Zeqati në një formë është sanksion për mos investimin e pasurisë. Kështu, nëse nuk investohet dhe të përfitohet nga një pasuri, me kalimin e kohës ajo pasuri do të harxhohet duke e dhënë zeqatin e saj. Në këtë formë, zeqati e ven në lëvizje ekonominë duke e vënë në qarkullim pasurinë ashtu që zeqati të jepet nga fitimi e jo nga kryet e pasurisë që mos harxhohet me kalimin e kohës.

– Sipas një pikpamje më gjithpërfshirëse që përputhet me synimet dhe objektivat e thelbit të zeqatit, zeqati nuk duhet të kuptohet vetëm si lëmoshë sa për të mos vdekë për ushqim të varfurit, por në një konptacion më të gjërë, zeqati duhet përdorur që të varfurit të aftësohen për zanate dhe punë, ashtu që për një kohë mos të jenë më konsumues të zeqatit por dhënës të zeqatit duke ndryshuar gjendja e tyre financiare dhe ekonomike. Kjo çon në hapjen e vendeve të reja të punës.

Zeqati destinohet për projekte afatgjate për të varfurit, për hapjen e mundësive ekonomike për ta dhe për përmirësimin e standardit jetësor të tyre duke bërë aftësimin e tyre nga mjetet e zeqatit dhe hapjen vendeve të punës. Psh. Për femra të veja dhe të varfura, zeqati mund të përdoret duke i aftësuar si rrobaqepëse dhe duke u blerë makina për qepje nga mjetet e zeqatit që ato pastaj të prodhojnë vetë.

– Zeqati e nxit edhe shpenzimin dhe konsumin në shoqëri duke i ndihmuar të varfurve materialisht dhe duke i bërë të aftë të konsumojnë prodhime, gjë që ndikon drejtpërdrejtë në ekonominë e vendit, e jo ato mjete të qëndrojnë të mbyllura si tepricë jo e përdorshme te të pasurit.

– Zeqati duke mbuluar nevoja të shtresave të varfura, e lehtëson shtetin që mjete të caktuara për shtresat sociale, t’i destinojë në projekte tjera ekonomike, ngase këtë segment të shtresave sociale e ka mbuluar zeqati.

– Një nga shtresat të cilëve u takon zeqati janë edhe borxhlinjtë. Kështu, kjo ndihmon që investitorët të investojnë e jo të frikohen nga humbja, ngase nëse investon dhe ndodh që të humb projekti, e di se mund të merr nga mjetet e zeqatit nëse vërtetë ka rënë në zero sepse konsiderohet borxhlij. Kjo ka ndodhur në kohën e Pejgamberit ﷺ me disa që kanë hapur ferma me fruta të hurmës dhe u janë shkatërruar nga thatësia apo shkaqe tjera.

– Një prej fondeve të zeqatit është zeqati në rrugë të Allahut. Sipas shpjegimit që kjo nuk nënkupton vetëm luftën por çdo gjë që është në rrugë të Allahut, hapen mundësi të shumta për destinimin e mjeteve të zeqatit, si ndërtim i shkollave, spitaleve, rrugëve etj., që ndikojnë drejtpërdrejt në ekonomi.

– Edhe kuptimi se fi sebililah në rrugë të Allahut, është për luftë, zeqati me këtë e ndihmon industrinë luftarake dhe prodhimin e mjeteve të luftës nga ana e shtetit, normalisht për mbrojtje e jo për padrejtësi ndaj tjerëve.

Allahu e di më së miri

Dr. Bashkim Aliu