Pyetja:
A mund të na tregoni rreth xhenetit ku banoi fillimisht Ademi (Paqja qoftë mbi të!) me bashkëshorten e tij (Havanë) dhe rreth pemës së ndaluar që ata të dy hëngrën?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Rreth xhenetit ku banoi Ademi dhe pemës së ndaluar që ai hëngri, në literaturat islame thuhet sa vijon:
Së pari: Rreth xhenetit ku banoi Ademi me bashkëshorten e tij
Tekstet islame përmendin se Ademi (Paqja qoftë mbi të!) dhe bashkëshortja e tij kanë banuar fillimisht në xhenet (në një kopsht të bukur të begatë), por nuk citojnë prerazi karakteristikën e këtij xheneti, nëse është Xheneti i përjetësisë (parajsa që u është premtuar besimtarëve në amshim), apo një xhenet (kopsht i bukur i begatë) i veçantë për Ademin dhe bashkëshorten e tij, apo një xhenet (kopsht i bukur i begatë) prej atyre të tokës.
Dijetarët muslimanë janë shprehur me të tre mendimet e lartpërmendura dhe mendimi i shumicës së tyre është se ky xhenet është Xheneti i përjetësisë (parajsa) që u është premtuar besimtarëve në amshim. Ndërkaq, disa dijetarë të tjerë muslimanë nuk kanë komentuar fare lidhur me këtë xhenet, por janë shprehur se qëndrimi i duhur lidhur me këtë çështje për të cilën nuk shprehet prerazi as Kurani dhe as Tradita Profetike, është: (së pari) të mos flasim fare për të, duke iu dorëzuar realitetit se dijenia e saj gjendet tek Allahu i Gjithëdijshëm dhe (së dyti) të dimë se dijenia nëse ky xhenet ka qenë parajsa e përjetësisë ose një kopsht i bukur i begatë prej atyre të kësaj dynjaje, nuk bën ndonjë dobi?
Së dyti: Rreth pemës së ndaluar që hëngrën Ademi me bashkëshorten e tij
Pikërisht në këtë xhenet (siç u sqarua më sipër) ndodhi ngrënia e Ademit dhe bashkëshortes së tij prej pemës së ndaluar, ngjarje në lidhje me të cilën çfarë përmendet në tekstet islame është se atyre të dyve u qe lejuar të hanin në këtë xhenet nga çdo gjë, përveç ngrënies së kësaj peme.
Po kështu, nga ajo çfarë dihet (referuar në tekstet islame) në lidhje me këtë pemë, është se ndryshe nga pretendimi i Teuratit3, kjo pemë nuk ishte pema e njohjes të së mirës dhe të keqes, mbështetur në faktin e ditur se Allahu i Lartësuar e begatoi Ademin me dituri të gjerë para se ta urdhëronte që të banonte në xhenet dhe t’ia ndalonte ngrënien nga pema.
Madje krej e çuditshme (e pakuptimtë) tingëllon rrjedhoja teuratike se Ademi nuk e dinte dallimin mes bindjes dhe pabindjes (mëkatit) ndaj Zotit, referuar në citimin teuratik ku vjen se pema e ndaluar nga e cila hëngri Ademi është “pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes”, për t’i shtruar së këtejmi rrugën pyetjes retorike se, si qënka në rregull të kritikohet një person (për më tepër nga Zoti i Drejtë dhe i Gjithëdijshëm, siç qëndron çështja në këtë pretendim teuratik) për diçka që ky person nuk e ka ditur se është gjë e keqe?!
Alaudin Abazi