Pyetje: Në netët teke në fund të Ramazanit duhet të qëndrojmë zgjuar të gjithë natën që të arrimë natën e Kadrit apo mjafton të qëndrojmë një pjesë të natës dhe me këtë kemi arritur mëshirën dhe mirësitë e asaj nate?

Përgjigje: Nuk ka argument që e detyron besimtarin të qëndrojë patjetër zgjuar gjatë gjithë natës në netët teke në dhejtëditëshin e fundit të Ramazanit që të arrijë natën e Kadrit dhe mirësitë e asaj nate. Në një hadith profetik që e transmeton Buhariu, Aishja r.a, përcjell se Profeti (alejhissalatu uesselam) kyr hynte në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit e shtrëngonte rroben e tij, e kalonte zgjuar kohën e natës dhe e zgjonte familjen e tij natën. (Sahih el-Buhari nr 2024).

Nga ky hadith profetik kuptojmë se Profeti (alejhissalatu uesselam) nëse e kalonte natën zgjuar nuk i detyronte të tjerët të vepronin sikur ai. Përderisa i zgjonte ata nga gjumi do të thotë se kishin fjetur, pastaj i zgjonte të afërmit që të arrinin një pjesë të natës. Pra nuk është kusht të qëndrosh të gjithë natën zgjuar që të arrish natën e Kadrit, por mund të mjaftohet me një pjesë të natës. Duhet patur parasysh se jo të gjithë njerëzit e kanë mundësinë të qëndrojnë të gjithë natën zgjuar, sepse dikush duhet të pushojë se do të punojë të nesërmen, apo sepse është i vogël në moshë dhe e ka të nevojshme gjumin apo sepse duhet të pushojë më shumë ngaqë mund të jetë i sëmurë. Allahu në Kuran thotë: “Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë.” Surja el-Bekare 186. A nëse dikush e ka mundësinë të qëndrojë të gjithë natën zgjuar për të adhuruar Zotin dhe për tu lutur pa u penguar në punët e tij dhe pa u rënduar në shendetin e tij, atëherë mund ta veprojë. Ndërkohë theksojmë se koha më e mirë për të zgjuar familjen për adhurim dhe lutje është një e treta e fundit e kohës, përgjatë syfyrit e deri në agim.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH