Pyetja:
Nëse personi që falet pas imamit e ngre kokën nga sexhdja para tij (në mënyrë të pavetëdijshme), por kur e vëren se imami nuk është ngritur kthehet menjëherë dhe e vazhdon sexhden me të, a i prishet namazi? A ka nevojë ta përsëritë sexhden apo namazin?
Përgjigjja:
Në këtë rast, nëse koka ngrihet nga sexhdja pa dashje ose duke menduar se imami tha “Allahu Ekber”, por pasi ngrihesh e sheh se imami është ende në sexhde dhe kthehesh menjëherë për ta vazhduar sexhden me të, atëherë nuk prishet as sexhdja, as rekati dhe as namazi. Gjithçka është në rregull dhe namazi përfundon me imamin duke dhënë selam bashkë me të.
Pse kjo? Sepse një ngjarje e tillë i ka ndodhur njërit prej shokëve (sahabëve) të Pejgamberit (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të), të quajtur Shedad ibn el-Had. Ai tregon: “Një natë, Pejgamberi (a.s.) doli të na printe në faljen e namazit të Jacisë dhe në duar mbante Hasanin ose Hysenin — njërin prej nipave të tij. Kur ra në sexhde, e zgjati atë aq shumë, saqë njerëzit menduan se diçka i kishte ndodhur. Atëherë unë e ngrita kokën dhe pashë se Hasani (apo Hyseni) po luante mbi shpinën dhe kokën e Pejgamberit (a.s.), ndërsa të gjithë të tjerët ishin në sexhde. U ktheva menjëherë dhe e vazhdova sexhden me të.”
Pasi përfunduan namazin, sahabët e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, e zgjate sexhden shumë. A ndodhi diçka?” Ai u përgjigj: “Jo, nuk ndodhi asgjë, por nuk desha t’ia prish lojën dhe rehatinë nipit tim.”
Nga kjo kuptojmë se Pejgamberi (a.s.), edhe pse e kuptoi që ky sahabi e ngriti kokën gjatë sexhdes (por u rikthye menjëherë), nuk i tha se i është prishur sexhdja, rekati apo namazi dhe nuk e urdhëroi ta përsëriste atë. Kjo vërteton se namazi është i rregullt.
Mirëpo, problemi qëndron nëse kjo bëhet me vetëdije dhe me qëllim:
- Nëse ngrihet dhe kthehet përsëri në sexhde me vetëdije, bën gjynah (mëkat), por namazin e vazhdon.
- Ndërsa, nëse ngrihet nga sexhdja para imamit me vetëdije duke e ditur se imami ende nuk është ngritur dhe nuk kthehet më në sexhde, përveçse bën gjynah, disa nga dijetarët mendojnë se ai duhet ta përsëritë atë rekat.
Allahu e di më së miri!
/Hoxhë Dr. RASIM HAXHA/




