llahu thotë: “Muaji i Ramazanit është ai në të cilin u zbrit Kur’ani, udhëzim për njerëzit dhe fakte orientuese, dallues i të vërtetës nga e kota. Ndaj kush është i sëmurë ose në udhëtim le t’i kryejë më vonë po aq ditë (sa ka lënë). Allahu do për ju më të lehtën dhe nuk do për ju të vështirën. Në këtë mënyrë e përmbushni numrin e ditëve dhe ta madhëroni Allahun që u ka udhëzuar, në mënyrë që të jeni falënderues”. (Bekareh 185).

Transmetohet nga Muadheh rahimehallah e cila tha: E pyeta Aishen radiAllahu anha: Si është çështja e femrës me menstruacione që e kryen kaza agjërimin dhe nuk e kryen kaza namazin? Tha: A mos je harurije (një prej anëtarëve të sektit hauarixh)? Thashë: Jo, nuk jam harurijeh por po pyes(për sqarim). Tha: Na ndodhte kjo (në kohën e Profetit) dhe urdhëroheshim të kryenim agjërimin ndërsa nuk urdhëroheshim të kryenim namazin”  (Mutefekun Alejhi)[1].

Transmetohet nga Aisheja radijAllahu anha e cila ka thënë: Ndodhte që kisha për të kryer kaza ditë nga Ramazani dhe nuk arrija dot t’i kryeja veçse në muajin Shaban (pra një muaj para Ramazanit tjetër)” (Mutefekun Alejhi)[2].

Ajo që shprehet qartë në këto tekste fetare është se kush lë ditë pa agjëruar nga muaji i Ramazanit, e ka detyrë që t’i kryejë më vonë aq ditë sa ka lënë.

Nëse ndodh që nuk i shlyen ato ditë deri sa vjen Ramazani tjetër, atëherë agjëron Ramazanin që është prezent dhe më pas në muajin Sheual fillon me kryerjen e ditëve kaza.

Gjithashtu ajo që kuptohet qartë është se nuk ka asnjëlloj obligimi tjetër përveç agjërimit, pavarësisht nëse vonesa ka qenë e qëllimshme apo për një arsye tjetër të justifikueshme apo për shkak të harresës.

Argumentimi për këtë vjen nga fakti që në tekstet fetare ka ardhur urdhëri vetëm për shlyerjen me agjërim, duke mos e kufizuar me periudhë të caktuar. Nëse do të ishte detyrë diçka tjetër së bashku me agjërimin, do ishte bërë e qartë në tekste, sepse është momenti i sqarimit. Këtë mendim e ka ndjekur Ibn Mesudi, Ibrahim Nehaiu, Haseni (el Basri), Tausi dhe Hamad bin Ebi Sulejmani[3].

Gjithashtu është medhhebi i Ebu Hanifes[4], i Buhariut në Sahihun e tij, është mendimi i Ibn Hazmit[5] dhe i Ahmed bin Muhamed bin Alij Sheukanij[6].

Ky arsyetim është kundërshtuar nga disa të tjerë me ajetin Kuranor: “Ata që nuk agjërojnë dot le të japin kompesim” (Bekareh 184), i cili tregon për obligueshmërinë e kompensimit nga çdokush që i ka mundësitë, përveç kategorive që janë përjashtuar me argument tjetër[7].

Sipas këtij mendimi, nëse e vonon shlyerjen e ditëve të Ramazanit derisa hyn Ramazani tjetër, e ka detyrë shlyerjen me agjërim dhe ushqimin e një të varfëri për çdo ditë agjërimi, kuptohet nëse vonesa ka qenë pa ndonjë arsye të justifikueshme. Ky është medhhebi i Malikut[8], i Theuriut, Euzaiut, Shafiut[9], i Ahmedit[10] dhe Is’hakut.

Ndërsa nga më të hershëm se ata është mendimi i Seid bin Xhubejrit, Muxhahidit, Ebu Hurejres, Ibn Umerit dhe Ibn Abasit[11].

Them (autori): Mendimi i zgjedhur – në këndvështrimin tim – është vetëm obligimi i shlyerjes me agjërim, pavarësisht nëse vonimi ka qenë për shkak të neglizhencës apo jo. Kjo për shkak të arsyeve të mëposhtme:

1. Ajeti: “Le t’i kryejë nga ditët e mëvonshme”, lë qartë për të kuptuar se bëhet fjalë për një obligim me kohë të shtrirë, pa një kufizim specifik dhe nuk ka asnjë lloj argumenti që përcakton kufirin final të kohës se kur duhet të ketë mbaruar shlyerjen.

2. Ajeti i mësipërm nuk përmend gjë tjetër përveç shlyerjes me agjërim ndaj çdo shtesë mbi këtë do ishte shtesë në dispozitën fetare dhe urdhërim për diçka të pa urdhëruar fetarisht, ndërkohë që nuk ka argument që ta mbështesë këtë.

3. Ajeti: “Ata që nuk agjërojnë dot le të japin kompensim ushqim një të varfëri”, pasi e pranojmë që nuk është i anulluar dhe se gjykimi i tij mbetet në fuqi për të moshuarin, të moshuarën, gjidhënësen dhe shtatzënën, themi: Ajeti ka të bëjë me ata që mund të agjërojnë por që agjërimi u shkakton vështirësi, kjo kategori kanë detyrë vetëm kompensimin me ushqim. Ndërsa studimi ynë në këtë çështje ka të bëjë me ata njerëz që mund të agjërojnë pa vështirësi dhe që e kanë vonuar shlyerjen e agjërimit. Pra, janë dy çështje të ndryshme.

4. E thekson akoma më shumë pasaktësinë e argumentimit të tyre me ajetin e mëparshëm, fakti se nga argumentimi i tyre rrjedh që të obligohet kompensimi ndaj çdokujt i cili ka ditë për të shlyer, pavarësisht nëse e zuri Ramazani tjetër apo jo. Nëse ata përgjigjen duke thënë: Kemi argument tjetër që tregon se kompensimi nuk obligohet nëse i shlyen ditët para ardhjes së Ramazanit tjetër. Themi: Të njëjtin argumentim që përdorët ju tani, përdorim dhe ne (për të treguar që nuk ka kompensim edhe nëse hyn Ramazani).

5. Pala tjetër përdorin si argument hadithin e Aishes radijAllahu anha e cila e vononte shlyerjen deri në muajin Shaban, për të treguar se afati i shlyerjes pa kompensim është për sa kohë që nuk ka hyrë Ramazani, ndërsa pas ardhjes së Ramazanit duhet edhe kompensimi. Ky argumentim nuk qëndron sepse në këtë ether nuk tregohet përcaktim i qëllimshëm kufizues por thjesht tregon ndodhinë e Aishes për shkak të rrethanave të saj[12].

Por  mund të thuhet se ky hadith lë për të nënkuptuar nxitjen për të shpejtuar në shlyerjen e ditëve të lëna dhe theksimi i kësaj kur ngelet pak kohë nga Ramazani tjetër.

Vërejtje:

Megjithëse ne themi që muslimani ka detyrë vetëm shlyerjen me agjërim, duhet të theksojmë se ky person ka vepruar shumë keq në vonimin e qëllimtë, pa arsye dhe ka treguar neglizhencë të qortueshme përderisa i ka patur mundësitë. Kjo sepse shpejtimi për në vepra të mira është diçka e urdhëruar nga Allahu, siç thotë: “Shpejtoni për në faljen e Zotit tuaj dhe xhenetin, gjerësia e të cilit është sa e qiejve dhe tokës i cili është përgatitur për të devotshmit” (Ali Imran 123)[13].

Ibn Haxheri rahimehullah ka thënë: Në këtë hadith (të Aishes) ka argument për lejimin e vonimit të shlyerjes së Ramazanit, në mënyrë të përgjithshme, pavarësisht nëse është me arsye apo jo…

Gjithashtu përfitohet nga përkushtimi i saj për t’i shlyer ditët e mbetura në muajin Shaban, se nuk lejohet vonimi i shlyerjes derisa të hyjë Ramazani tjetër. Ndërsa në lidhje me kompensimin me ushqim, nuk gjejmë në këtë hadith diçka që e mbështet apo që e mohon[14].

Perktheu : Shuajb Rexha
https://udhaebesimtareve.com/

 


[1] Buhariu nr 231, Muslimi nr 335.

 

[2] Buhariu nr 1950 dhe Muslimi nr 1146.

[3] el Muhala 6/260.

[4] Bedaiu es-Sanai 2/104, el Ihtijar 1/135.

[5] Fet-hul Barij 4/188, Fikhul imamil Buharij fq 135.

[6] es-Sumutu edh-Dhehebijeh fq 120.

[7] el Hauij el Kebir 3/451.

[8] el Kafij fq 122, el Feuakih ed-deuanij 1/360.

[9] el Hauij el Kebir 3/451, el Muhedheb 1/252.

[10] el Insaf 3/333, er-Raudu en-Nedij fq 166.

[11] Ihtilaful ulema fq 71, el Mugnij 3/145.

[12] el Inajeh alel hidajeh 2/335.

[13] el Muhala 6/260.

[14] Fet-hul Barij 4/191.