Pyetja:

Nëse ndodh prishja e agjërimit pa qëllim?

***

Përgjigjja:

Prishja e agjërimit pa qëllim ka disa forma: Ndonjëherë njeriu nuk synon prishjen e agjërimit por mund të ndodhë ndonjë veprim që konsiderohet prej gjërave që e prishin agjërimin. Nëse ato ndodhin nga harresa si ngrënia ose pirja duke harruar se jemi agjërueshëm, nuk prishet agjërimi edhe nëse ngopemi. Në momentin që na kujtohet se jemi duke ngrënë duke qenë agjërueshëm, menjëherë duhet të ndalemi së ngrëni.

Ndonjëherë jemi të vetëdijshëm se jemi agjërueshëm por befas ndodhë që të na shkojë një pikë uji në fyt, ose të na futet diçka në gojë befas dhe ta gëlltisim pa qëllim. Po ashtu mund të ndodhë që kalojmë në një vend në të cilin ka tym, edhe në këtë rast agjërimi nuk prishet sepse ky veprim është i paqëllimshëm. Nëse dikujt me dhunë i prishet agjërimi, agjërimi i tij është i saktë dhe i plotë.

Gjithashtu nëse ndodhë që hamë iftar duke menduar se ka hyrë koha e iftarit, për shkak se ora mund të ketë qenë gabim ose për shkak të vranësirave apo ndonjë arsye objektive, e pastaj e kuptojmë se ende nuk ka hyrë koha e iftarit; atëherë përmbahemi menjëherë nga ngrënia e ushqimit (derisa të bëhet iftari), ndërsa për gabimin eventual nuk jepet përgjegjësi ngase është bërë pa qëllim.

Nëse mendojmë se akoma nuk ka mbaruar koha e syfyrit dhe vazhdojmë të hamë, ndërkohë e kuptojmë se koha ka kaluar, menjëherë duhet të ndalemi së ngrëni dhe agjërimi është i saktë, ngase kjo ka ndodhur pa qëllim.

30ditet.com

Comments are closed.