Pyetje: Nëse njeriu zgjohet nga gjumi dhe në rrobat e tij sheh lagështi, a e ka të obliguar gusllin?

Përgjigje: Kur njeriu zgjohet nga gjumi dhe në rrobat e tij sheh lagështi, kjo mund të jetë në tri gjendje:

  1. Të bindet se ajo lagështi është spermë. Në këtë rast, e ka obligim gusllin, pa marrë parasysh a i kujtohet ëndrra apo jo.
  2. Të bindet se ajo lagështi nuk është spermë. Në këtë rast, nuk e ka obligim gusllin, por duhet ta lajë vendin e lagur, pasi kjo konsiderohet urinë.
  3. Të mos e dijë nëse është spermë apo jo. Në këtë rast, ka detajizim:
    • Nëse i kujtohet se ka parë ëndërr në gjumë, atëherë e konsideron spermë dhe lahet, për shkak të hadithit të Ummu Selemes, radijall-llahu anha, e cila e pyeti Resulull-llahun, sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem, për gruan e cila sheh në ëndërr atë që sheh edhe burri, a duhet të lahet? Ai tha: “Po, nëse sheh ujë”. Ky është argument për obligimin e gusllit për atë person që sheh ëndërr dhe pastaj sheh lagështi.
    • Nëse nuk i kujtohet se ka parë ndonjë ëndërr, porse para gjumit ka menduar për marrëdhënie intime, e konsideron spermë dhe në këtë rast e ka obligim gusllin.
    • Nëse para gjumit nuk ka menduar për marrëdhënie, këtu ka dy mendime:
      • Disa dijetarë thonë se e ka obligim gusllin, për të qenë më i sigurt.
      • Disa të tjerë thonë se nuk e ka obligim, dhe ky është mendimi më i saktë, sepse esenca është lirimi i njeriut nga obligimet.

/Shejh Uthejmini/