Ngrënia e ushqimit në prani të atij që agjëron

91. I nderuar hoxhë! A është mëkat të hahet ushqim në prani të atij që agjëron?

Përgjigjja: Personat që nuk e agjërojnë Ramazanin me arsye të justifikueshme e kanë të lejuar të përdorin ushqimin ngase  janë të liruar prej agjërimit, kurse ditët e paagjëruara duhet t’i kompensojnë më vonë kur kanë mundësi. Allahu xh.sh. thotë:

“…e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë.” (Bekare: 184)

Mirëpo duhet të dimë se prej shenjtërisë së muajit të bekuar Ramazan është që të gjithë të duken agjërueshëm, prandaj shfaqja publikisht e mosagjërimit nuk është mirë, ngase njerëzit nuk mund t’i dinë arsyet e mosagjërimit dhe kjo mund të nxisë mendime të këqija për t’i akuzuar se nuk po e agjërojnë Ramazanin, si dhe mund të konsiderohet inkurajim e nxitje për gjynahqarët që të mos agjërojnë.

Po ashtu mosagjërimi publikisht do të ndikojë negativisht edhe në edukimin e fëmijëve, ngase ata ndoshta nuk janë në gjendje t’i kuptojnë arsyet e mosagjërimit. Me qëllim të largimit nga keqkuptimet e sipërpërmendura, të gjithë ata që kanë arsye për të mos agjëruar duhet të mundohen maksimalisht që të mos e shprehin publikisht mosagjërimin e tyre, kurse përdorimi i ushqimit në prani të të afërmve, të cilët e dinë dhe e kuptojnë arsyen e mosagjërimit, nuk prish punë.

Po ashtu ngrënia e ushqimit në prani të atij që agjëron nafile ose kaza jashtë muajit Ramazan nuk ka kurrfarë të keqe.

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi