Pyetja:

Një grua është vesvese lidhur me pastërtinë e saj dhe ndjen që, pasi të marrë abdes, duhet të shkojë prapë në nevojtore. Në një rast, ajo ndjeu që dikush po i pëshpëriste që ta ofendonte Kuranin dhe Allahun, dhe gjithë çfarë mund të bënte ishte të qante. Si mund të ballafaqohet ajo me këtë dhe t’i heqë qafe këto pëshpëritje?

***

Përgjigjja:

Shumë njerëz vuajnë nga këto pëshpëritje. S’ka fuqi e as ndryshim, përveç me Allahun. Mënyra për t’u përballur më këto vesvese është të kërkosh shpëtim me Allahun nga shejtani i mallkuar, dhe, veçanërisht, të recitohen dy suret e fundit të Kuranit (Felek
dhe Nas), sepse s’ka gjë më të mirë me të cilën personi mund të kërkojë ndihmë me
Allahun. Kështu, ai duhet të recitojë: “Kul eudhu bi Rabil-Felek” (Felek, 1), deri në fund të sures, e cila përfshin kërkimin e shpëtimit nga e keqja e shejtanit, sepse ai është një ndër krijesat e Allahut. Ai duhet ta lexojë edhe suren Nas: “Kul eudhu bi Rabin-Nas”, deri në fund (Nas). Pra, mënyra për t’u mbrojtur nga kjo është të kërkosh sa më shumë shpëtim me Allahun nga shejtani i mallkuar, t’i kthehesh Allahut dhe të kesh vendim të sinqertë, që mos t’u kushtohet vëmendje pëshpëritjeve që mund të hyjnë në mendjen e njeriut.
Për shembull, se a keni marrë abdes një herë, dy herë apo tre herë, ju s’duhet t’i kushtoni
vëmendje pëshpëritjeve të shejtanit, edhe nëse ndjen që s’ke marrë abdes fare, apo se
keni lënë jashtë disa pjesë të abdesit, apo se nuk e keni bërë nijetin e duhur, pra, ju
s’duhet t’i kushtoni vëmendje kësaj. Ngjashëm, nëse po faleni dhe mendoni se nuk keni
thënë “Allahu ekber” në fillim të namazit, nuk duhet t’i kushtoni vëmendje kësaj dhe
duhet të vazhdoni me namazin deri në fund. Po ashtu, nëse ju shkon ndër mend ta shani
Allahun apo Kuranin, apo ndonjë tjetër lloj kufri, nuk duhet t’i kushtoni vëmendje kësaj
dhe kjo nuk do t’ju dëmtojë. Edhe nëse puna shkon deri aty, saqë personi, i detyruar nga
paranoja, i shpreh ato fjalë, nuk ka mëkat për të, ngaqë Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk ka shkurorëzim nën detyrim“. [1]

Nëse shkurorëzimi që bëhet duke qenë i ndikuar nga një vesvese nuk njihet, atëherë,
me gjasë, këtë duhet falur edhe më shumë, por personi duhet të distancohet nga kjo
dhe të mos i kushtojë vëmendje. Kështu, e këshilloj këtë grua dhe të tjerët që provohen me vesvese që të kërkojnë shpëtim me Allahun nga shejtani i mallkuar në masë të madhe, t’i recitojnë dy suret e fundit të Kuranit.

Nëse shejtani arrin të fusë disa dyshime në zemrën e personit, në lidhje me Allahun dhe
gjëra të tjera, ai s’duhet të mërzitet për këtë, sepse ai po i vuan këto dyshime vetëm për
shkak të imanit në zemrën e tij. Personi që s’është besimtar, nuk çan kokën se a ka
dyshime, apo jo. Ai që vuan, për shkak të këtyre dyshimeve e pëshpëritjeve, është
besimtar. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ky është besimi i vërtetë” [2], që do të thotë se ajo çfarë shejtani hedh në zemrat tuaja për të tilla çështje, është një pasqyrim i besimit të pastër, dmth i besimit të sinqertë. Ai e përshkroi këtë si besim të sinqertë, sepse ai që i përjeton këto dyshime, nuk është i lumtur lidhur me to dhe nuk duhet t’u kushtojë vëmendje; ato e shqetësojnë atë dhe ai nuk i do ato. Shejtani u vjen vetëm zemrave që janë të mbushura me besim, me qëllim që t’i shkatërrojë ato. Ai nuk u shkon zemrave që s’kanë besim, ngaqë ato tashmë janë të shkatërruara. I qe thënë Ibn Mes’udit se çifutët kishin thënë: “Ne nuk kemi vesvese gjatë lutjeve tona”. Ai tha: “Natyrisht. Çfarë do të bënte shejtani me një zemër që tashmë është shkatërruar?!”
E këshilloj atë që t’i injorojë këto pëshpëritje. Ajo do të ketë vështirësi në fillim dhe do të
mendojë se po falet pa abdes apo pa thënë “Allahu ekber” në fillim dhe kështu me radhë,
por, pas kësaj, ajo do ta ketë më lehtë dhe ky dyshim e vesveset do ta lënë atë, nëse do
Allahu. I falënderuar qoftë Allahu. Ka njerëz që kanë vuajtur nga ky problem, por u qe thënë se si të sillen në këtë situatë dhe si t’i rezistojnë, dhe Allahu u ofroi ndihmë. E lusim
Allahun të jemi shëndosh e rehat.

————————————–

[1] Ebu Davudi (2193), Ahmedi në Musned (6/276)

[2] Muslimi (132)