Pyetja:

Unë jam një person që pendohem, por prap e bëj të njëjtin mëkat, çfarë duhet të bëj?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Atë që duhet të kuptojë çdo musliman është ajo se nga ai kërkohet që në formë të vazhduar të përqendrohet në adhurimin e Allahut të Lartësuar, ashtu siç vërtetohet në ajetin kuranor:

Dhe adhuroje Zotin tënd deri sa të vijë ty e vërteta (vdekja).” (Hixhr: 99)

Dhe thënia e të Dërguarit të Allahut ﷺ ku iu përgjigj atij që e pyeti që t’ia mësojë një fjalë të përgjithshme në Islam: “Thuaj! Besova në Allahun, pastaj përqëndrohu në të (në atë që aludon kjo fjalë)!” [1]
Duke e patur këtë parasysh, gjithashtu e dimë se asnjë nga njerëzit nuk i shpëton gabimit, apo rënia në mëkat, kohë pas kohe për shkaqe të ndryshme, prandaj ajo që kërkohet nga ai në rastin e përsëritjes së mëkatit është ti ketë parasysh gjërat që do t`i përmendim që të mund të largohet nga përsëritja e mëkatit apo së paku e pakson atë.

Së pari: Duhet të hulumtojë, seriozisht, rreth shkaqeve që ndikojnë në përsëritjen e mëkatit, mund të jetë shkaku i ndonjë shoku me të cilin shoqërohet, apo lexon, dëgjon, shikon, me një fjalë ai duhet t`i ndërpresë të gjitha ato shkaqet që e inicojnë tek ai përsëritjen e mëkatit. Prandaj e shohim në legjislaturën islame se shumë nga gjërat ndalohen për shkak të ndërprejes së rrugës për të ndodhur ndonjë ndalesë më e madhe. Shembuj për këtë kemi shumë, ne po e përmendim ajetin ku Allahu i Lartësuar thotë:

Kur sheh ata se janë thelluar (me tallje) në çështjet Tona, largohu prej tyre derisa të kalojnë në bisedë tjetër. Nëse djalli të bën të harrosh (e rri me ta), pasi të bjerë ndërmend, mos rri me popullin mizor.” (Enam: 68)

Pra Allahu i Lartësuar ndalon këtë lloj të ndejës për shkak të bisedës së ndaluar që bëjnë ata.

Së dyti: Muslimani duhet të fitojë imunitet ndaj rënies në mëkate, kurse kjo arrihet duke e forcuar imanin, prandaj besimtari duhet të mundohet të forcojë imanin dhe që ai gjithmonë të vazhdojë të shtohet, për shkak se ai kur është në rritje e sipër, atëherë mbjellë lumturi në këtë botë dhe në botën tjetër.

Vërtet, imani (besimi) i fortë në Allahun e Lartësuar është pengesa më e madhe nga rënia në mëkate.

Së treti: Të mos bëhet pesimist nëse bie në mëkat prapë, por ai duhet të kthehet tek Allahu dhe të pendohet. Prandaj disa edhe e kanë krahasuar mëkatin me sëmundjen, pasi i sëmuri kurrë nuk mërzitet të rikthehet në përdorimin e barit me të cilën është shëruar në herën e parë sa herë që i rikthehet sëmundja, ashtu edhe mëkatari nuk duhet të bëhet pessimist, por duhet t’i rikthehet pendimit, sa herë që bie në mëkatin e njejtë.

Prandaj themi se robi i Allahut duhet t’i ketë parasysh këto që u thanë më lartë, por gjithashtu duhet ta ketë parasysh se pendimi ka rregulla dhe kushte, si sinqeriteti në këtë pendim dhe vendosëshmëria të mos kthehet në këtë mëkat pas pendimit. Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi

———————–

[1] Muslimi