Përjetimi i momentit të kiametit

1.I nderuar hoxhë! Kiametin a do ta përjetojnë edhe ata që kanë vdekur apo vetëm të gjallët?

Përgjigjja: Hadithet e sakta të Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] na tregojnë se momentin e kiametit do ta përjetojnë vetëm njerëzit e gjallë, që janë prej njerëzve më të këqij. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nuk do të ndodhë momenti i kiametit përderisa në tokë të thuhet Allah, Allah.”[1]

Kjo do të thotë se përderisa të ketë në rruzullin tokësor njerëz që thonë ‘La ilahe il-lAll-llah’, që i besojnë Allahut dhe përmendin emrin e Tij, kiameti nuk do të ndodhë. Gjithashtu, Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Njerëzit më të këqij janë ata që i zë të gjallë momenti i kataklizmës (kiametit) si dhe ata të cilët i marrin varrezat për faltore (xhami).”[2]

Në hadithin që shënon Muslimi, Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] përshkruan ndodhitë që do të ndodhin para ndodhisë së kiametit, ku përveç të tjerash thotë: “…dhe pastaj Allahu e dërgon një erë të mirë me anë të së cilës i merr shpirtrat e çdo besimtari dhe çdo muslimani. Pastaj mbesin njerëzit më të këqij, që bëjnë marrëdhënie intime publikisht ashtu siç bëjnë gomarët, mbi këtë lloj njerëzish do të ndodhë kiameti.”[3]

Nga kjo që u tha deri tani kuptojmë se të vdekurit nuk do t’i përjetojnë trishtimet e momentit të kiametit. Por pasi të gjithë njerëzit pas ndodhisë së kataklizmës do të ringjallen për të dhënë llogari, atëherë kuptohet se të gjithë të vdekurit pasi të ringjallen, do të kuptojnë se kiameti ka ndodhur dhe ata i pret dhënia e llogarisë para të madhit Allah xh.sh..

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi, nr. (148) 234.

[2] Ahmedi, nr. 3844. Shuajb Arnauti ka thënë në Musned: “Isnadi është sahih”.

[3] Muslimi, nr. (2937) 110.