Puna në kompani bingoje

202. I nderuar hoxhë! Unë punoj në bingo. A e kam haram rrogën që marr nga kjo punë?

Përgjigjja: Në parim për të gjitha gjërat që në esencë janë haram të përdoren, ndalohet edhe çfarëdo aktiviteti që do të ndihmojë në zhvillimin, forcimin dhe përhapjen e haramit, ngase Allahu i Madhërishëm urdhëron dhe thotë:

”Ndihmohuni mes vete me të mira dhe në të mbara, e mosni në mëkate e armiqësi. Kini drojë dënimit të Allahut, se me të vërtetë Allahu është ndëshkues i fortë.” (Maide: 2)

Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] në shumë hadithe ka tërhequr vërejtjen për përgjegjësinë që kanë ata që kontribuojnë në çfarëdo mënyre në përhapjen e haramit.

Prandaj përveçse e ka mallkuar atë që e pi alkoolin, i ka mallkuar edhe të gjitha kategoritë e tjera që kontribuojnë në përhapjen e alkoolit, duke përfshirë prodhuesin, shitësin, blerësin, transportuesin, etj..

Po ashtu përgjegjësinë për mëkatin e kamatës e kanë të gjithë aktorët që kontribuojnë për marrjen e kamatës, pra, dhënësi i kamatës, marrësi i kamatës, shkruesi dhe dëshmitarët, të gjithë janë të barabartë në peshën e mëkatit. Me fjalë të tjera, Islami kur e ndalon një vepër, i ndalon edhe të gjitha mjetet që të çojnë drejt kryerjes së asaj vepre.

Loja e bingos është njëra prej shumë lojërave të fatit që hyjnë në kategorinë e bixhozit, prandaj ashtu siç janë të ndaluara të gjitha lojërat e bixhozit, pa marrë parasysh emërtimin e tyre, janë të ndaluara edhe të gjitha veprimet e tjera që kontribuojnë në përhapjen e bixhozit, duke përfshirë edhe punën në kompanitë e lojërave të fatit. Prandaj nuk ka asnjë dyshim se puna në kompanitë e lojërave të fatit bingo është e ndaluar rreptësisht.

Mirëpo nëse muslimani gjendet në situatë shumë të vështirë ekonomike deri në atë masë saqë nëse nuk punon rrezikohet t’i dëmtohet jeta e tij apo jeta e atyre që ka nën përgjegjësi, atëherë në këtë situatë vjen në shprehje rregulli i fikhut: “Nevoja e domosdoshme e lejon të ndaluarën”. Mirëpo bixhozin duhet ta urreni me zemër dhe duhet të mundoheni me çdo kusht që të gjeni ndonjë punë tjetër që është hallall, edhe në qoftë se puna tjetër është më e rëndë dhe me pagesë më të vogël.

Allahu e di më së miri.