Pyetja:

Keni shkruar në artikullin ʺNamazi i natës gjatë ramazanitʺ se Pejgamberi, ﷺ, e ka ndaluar faljen e vitrit me tre rekate, dhe e shpjeguat këtë duke thënë: ʺMos e bëni të ngjashëm me namazin e akshamit.ʺ Pra, personi që dëshiron ta falë litrin me tre rekate, duhet të gjejë një mënyrë që e dallon atë (nga namazi i akshamit). Ka dy mënyra për ta bërë këtë: ose duke dhënë selam pas dy rekateve të para, që është mënyra më e mirë; ose duke mos u ulur pas dy rekateve të paraʺ. Unë, po ashtu, fali tre rekate në witr, por e dalloj nga namazi i akshamit duke i ngritur duart për tekbir përpara lutjes së kunutit. A është me vend kjo?

***

Përgjigjja:

Qoftë i lavdëruar Allahu. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin ﷺ.

Para se të përgjigjem në këtë pyetje, do të donim të thoshim se e çmojmë etjen tuaj për pasimin e Sunetit, dhe e lusim Allahun të na bëjë ne dhe juve ta dëgjojmë fjalën dhe ta pasojmë atë si duhet. Në lidhje me qëllimin për ta dalluar vitrin duke ngritur duart për tekbir përpara lutjes së kunutit, sʹështë ajo që është menduar me ndalimin e Pejgamberit ﷺ në hadith: ʺMos e falni vitrin në mënyrë që tʹi ngjajë namazit të akshamitʺ. [1] Çfarë ka menduar ai, ﷺ, dhe dijetarët e kanë shpjeguar, është se ne sʹduhet të ulemi në teshehudin e parë në mënyrën të njëjtë si në namazin e akshamit. [2] Ngritja e duarve për tekbir përpara thënies së lutjes së kunutit, nuk e bën dallimin, sepse ka katër vende në të cilat duart duhet të ngrihen gjatë namazit:
‐ kur të thuhet tekbiri i parë
‐ kur të biem në ruku
‐ kur të ngrihemi nga rukuja
‐ kur të ngrihemi pas teshehudit të parë
Nuk është ligjëruar që adhuruesi tʹi ngrejë duart në ndonjë vend tjetër veç këtyre katër pikave.

Shejh Ibn Uthejmini, “Fetaua Arkan‐ul‐Islam”, fq. 312

——————————

[1] Hakimi (1/304), Bejhekiu (3/31) dhe Darekutni (fq. 172)

[2]  Ibn Haxheri, Fet’h el Bari (4/301)