Pyetja:

Disa njerëz ishin duke falur në shtëpi një nga namazet e ligjëruara. Gjatë namazit, filloi të cingëronte telefoni dhe i shqetësoi shumë gjatë. A është e lejuar në raste të tilla që falësi të lëvizë përpara apo mbrapa dhe ta hapë telefonin, të bëjë tekbir dhe të lexojë zëshëm Kuran, që t’ia bëjë me dije atij që po thërret se janë në namaz? Kjo si analogji me hapjen e derës dhe ngritjen e zërit që ai të dëgjojë.

***

Përgjigjja:

Nëse falësi gjendet në situatën e përmendur, që gjatë namazit të cingërojë telefoni, është e lejuar që ta hapë atë, qoftë edhe nëse i duhet të lëvizë përpara apo mbrapa, majtas apo djathtas, me kusht që vazhdimisht të jetë i kthyer në drejtim të kibles, dhe të thotë Subahnallah, që ta njoftojë atë që po thërret. Kjo, pasi është transmetuar se i Dërguari i Allahut ﷺ është falur duke e mbajtur në dorë Umamen, mbesën e vet, dhe, kur binte në ruku, e lëshonte, kurse kur ngrihej, përsëri e merrte. Në një transmetim tjetër qëndron: ”I udhëhoqi njerëzit në xhami”. [1] Dhe bazuar në hadithin që e transmetohet nga Aisheja (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “I Dërguari i Allahut ﷺ falej në shtëpi dhe dyert ishin të mbyllura. Kur unë vija, ai lëvizte, derisa ma hapte derën dhe pastaj kthehej në vendin e vet” [2], dhe shpjegoi se dyert ishin në drejtim të kibles. Edhe hadithin që e transmetohet se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Atij që i pengon diç në namaz, (le të thotë) tesbih (thënia subhanallah) për meshkujt, kurse goditja e shuplakave është për gratë”. [3]

Komisioni i Përhershëm për Fetva, nr. 1870, 7/ fq. 29

Përktheu: Ergin Shala

—————————

[1] Muslimi

[2] Ahmedi

[3] Buhariu dhe Muslimi