Pyetja:

Përse engjëjt kundërshtuan krijimin e Ademit si mëkëmbës në tokë, pastaj i ranë në sexhdeh atij?

***

Përgjigjja:

Së pari ata nuk iu përulën atij në sexhdeh, veçse pasi Allahu ia mësoi atij të gjithë emrat (e sendeve). Prandaj kanë thënë dijetarët: nëse njeriu e mëson sheriatin (fenë) e Allahut dhe është i sinqertë në diturinë e tij, arrin një gradë më të lartë se ajo e engjëjve! Sepse Allahu i Lartësuar nuk i urdhëroi engjëjt t’i binin në sexhdeh Ademit veçse pasi e mësoi atë (i dha dituri). Kështu Ademi ua kaloi melaikeve sepse mësoi, u pajis me dituri. Prandaj thotë Allahu i Lartësuar: “Me të vërtetë ata që besuan dhe bënë vepra të mira ata janë krijesat më të mira”. (Bejjine: 7) Dhe në mesin e atyre krijesave më të mira janë edhe engjëjt. Prandaj besimtari që i frikësohet Allahut dhe kryen vepra të mira është më i mirë se melaiket.

Por melaiket si lloj, si krijesa, në tërësi janë më të mirë se njerëzit në tërësi (si krijesa), për shkak të ekzistencës së pakujdesisë (qëndrimit larg adhurimit) dhe gjynaheve tek njerëzit. Për këtë arsye është përcjellë prej Ebu Hurejras se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Ka thënë Allahu i Lartësuar: Unë jam tek mendimi i mirë që ka robi për Mua. Unë jam me të kur ai më përmend. Nëse më përmend në vetvete e përmend në Veten Time, e nëse më përmend në një grup Unë e përmend atë në një grup që janë më të mirë se ai” (e përmend përpara engjëjve). [1]

Kësisoj bashkësia e engjëjve është më e mirë se bashkësia e njerëzve, si tërësi. Sepse në mesin e njerëzve ka gjynahqarë, e ka të pakujdesshëm (larg fesë së Allahut). Ndërsa nëse vijmë tek individë prej njerëzve, si profetët për shembull, ata pa dyshim janë më të mirë se engjëjt. Sepse kur njeriu e kapërcen epshin e tij dhe e lufton veten gjatë kësaj, është më i mirë se ai që është krijuar pa epshe dhe është krijuar veç për adhurim, të cilin ai e bën natyrshëm.

Pyetja e engjëjve nuk ishte kundërshtim por kërkesë e shkakut dhe urtësisë. Allahu i njoftoi ata se do të vijnë njerëz, do të vrasin njëri-tjetrin, prandaj ata pyetën për të ditur dhe jo në formë kundërshtimi. Prandaj dijetarët thonë se është e lejuar që njeriu të pyesë për të mësuar. Pyetja për të ditur nuk ka problem. Dhe Allahu i Lartësuar është më i Dijshmi!

Shejh Mesh’hur Hasen

———————————

[1] Muslimi