Pyetja:
A lejohet të shkosh në kuiz televiziv?
***
Përgjigjja:
Pjesëmarrja në çfarëdo kuizi të diturisë ku nuk kushtëzohet pjesëmarrja me ndonjë pagesë në të holla është e lejuar. Kuizi i diturisë është një formë e testimit të njohurive të arritura, prandaj nuk ka asnjë arsye për të qenë e ndaluar.
Mirëpo nëse për pjesëmarrjen në kuizet e diturisë duhet të bëhet ndonjë pagesë e veçantë, qoftë edhe nëse është pagesë simbolike, atëherë nuk lejohet ngase hyn në kategorinë e bixhozit, kurse bixhozi në Islam është i ndaluar rreptësisht. Allahu xh.sh. thotë:
”O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani. Pra, largohuni prej tyre që të jeni të shpëtuar.” (Maide: 90)
Pasi pjesëmarrja në kuize diturie është e lejuar, atëherë kuptohet se edhe të hollat që fitohen si rezultat i suksesit të treguar në dije konsiderohen hallall-të lejuara dhe këto të holla përdoren njësoj si pasuritë e tjera të fituara në formë të lejuar.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi