Falja e namazit me rroba që kanë figura

38. I nderuar hoxhë! A lejohet falja e namazit me rroba që kanë figura, si p.sh me njerëz, kafshë apo shpezë?

Përgjigjja: Veshja e rrobave me figura gjallesash parimisht nuk është e lejuar as në namaz e as jashtë namazit. Transmetohet se Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] hyri në dhomën e Aishes dhe pasi pa një perde në të cilën gjendeshin fotografi, u hidhërua dhe e hoqi atë e tha: “Pronarët e këtyre fotografive do të dënohen në Ditën e Kiametit dhe do t’u thuhet: “Ngjalleni këtë që e krijuat!” Dhe ka thënë: “Melekët nuk hyjnë në shtëpinë në të cilën gjenden fotografitë.”[1]

Veshja e rrobave për të mbuluar avretin është parakusht i namazit, prandaj duhet pasur gjithnjë kujdes në përzgjedhjen e rrobave dhe duhen shmangur rrobat me figura. Nëse ndodh që të faleni me rroba që kanë fotografi të qenieve të gjalla, atëherë themi se namazi është i vlefshëm, mirëpo është gjynahqar ai që i ka veshur ato rroba.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 2105; Muslimi, nr. (2107) 96.