Pyetja:
Prej cilës pjesë të trupit deri tek cila pjesë duhet të mbulohet mashkulli dhe a bën të dalë në rrugë pa bluzë me mëngë të shkurtra?
***
Përgjigjja:
Avret apo pjesë e turpshme e trupit të mashkullit konsiderohet prej kërthizës deri në gjunjë, çka do të thotë se kërthiza dhe gjuri nuk janë avret.
Prandaj çdo musliman moshërritur duhet të kujdeset të mos i ekspozojë dhe të mos i zbulojë pjesët e turpshme të trupit si në prani të femrave edhe në prani të meshkujve. Ky rregull vlen edhe për anëtarët e ngushtë të familjes.
Pra, prindi duhet të ketë kujdes për pjesët e turpshme të trupit edhe në prani të fëmijëve, vëllezërve e motrave. E njëjta gjë vlen edhe për fëmijët, edhe ata duhet t’i mbulojnë pjesët e turpshme të trupit të tyre prej prindërve.
Ashtu sikurse obligohet femra t’i mbulojë vendet e turpshme të saj dhe të largojë shikimin nga vendet e turpshme të trupit të mashkullit pa marrë parasysh afërsinë, me përjashtim të bashkëshortit, po ashtu edhe mashkulli obligohet t’i mbulojë pjesët e turpshme të trupit të tij dhe ta largojë shikimin nga pjesët e turpshme të trupit të të gjitha femrave pa marrë parasysh afërsinë, me përjashtim të bashkëshortes. Allahu xh.sh. thotë:
“Thuaju besimtarëve të ndalin shikimet (prej haramit), t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre se kjo është më e pastër për ta. Allahu është i njohur hollësisht për atë që bëjnë ata. Thuaju edhe besimtareve të ndalin shikimet e tyre, t’i ruajnë pjesët e turpshme të trupit të tyre, të mos zbulojnë stolitë e tyre përveç atyre që janë të dukshme, le të vënë shamitë mbi kraharorin e tyre dhe të mos ua tregojnë bukuritë e tyre askujt përveç burrave të vet, baballarëve të vet ose baballarëve të burrave të vet, djemve të vet ose djemve të burrave të vet, vëllezërve të vet ose djemve të vëllezërve të vet, apo djemve të motrave të veta, ose grave të tyre (që u përmendën) dhe robëreshave, të cilat i kanë në pronësinë e tyre, ose shërbëtorëve nga meshkujt, të cilët nuk ndiejnë nevojë për femrat, ose fëmijëve që nuk e kanë arritur pjekurinë për gra. Le të mos kërcasin me këmbët e tyre për ta zbuluar fshehtësinë nga stolitë e tyre. Pendohuni të gjithë tek Allahu, o besimtarë, në mënyrë që të gjeni shpëtim.” (Nur: 30–31)
Nëse pjesa e turpshme e trupit të mashkullit është prej kërthizës deri në gjunjë, kjo nuk do të thotë se atij i lejohet të dalë me gjoks zbuluar në publik.
Prej urtësive të veshjes së rrobave, përveç mbulimit të avretit, është edhe mbrojtja nga të ftohtët dhe të nxehtët, zbukurimi si dhe respektimi i natyrshmërisë së njeriut.
Prandaj duhet ditur që nëse gjërat që janë të lejuara në esencë mund të pasojnë me ndonjë dëm, atëherë mund të kalojë në të ndaluarën.
Në këtë rast, nëse zbulimi i krahëve dhe gjoksit të mashkullit nxit epshin dhe hap dyert e së keqes, atëherë ky veprim bëhet i ndaluar. Posaçërisht nëse dalja në rrugë pa bluze me mëngë të shkurtra apo majic është veti e njerëzve të pamoralshëm e të degjeneruar, atëherë ndalesa përforcohet edhe më shumë.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi