Pyetja:
Dihet fakti se betimi për tjetërgjë/kënd veç Allahut është i ndaluar, por cili është shpjegimi për faktin sesi Allahu betohet në Kuran për shumë gjëra, si betimi i Tij për (me): diellin, hënën, natën, agimin etj.?
***
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, Muhamedin ﷺ!
Arsyeja e ndalimit të betimit për (me) tjetërgjë/kënd veç Allahut qëndron në faktin se betimi nënkupton madhërimin e kujt/çfarë bëhet betimi për të dhe madhërimi në thelb është i veçantë për Allahun e Lartësuar.
Ndërsa lidhur me pyetjen e parashtruar (se cili është shpjegimi lidhur me betimin e Allahut për (me) shumë krijesa, teksa dihet fakti se betimi për tjetërgjë/kënd veç Allahut është i ndaluar), dijetarët muslimanë kanë dhënë disa përgjigje, ku ndoshta më të spikaturat janë si vijon:
Së pari: Allahu betohet ku të dojë, pasi çdo gjë dëshmon për Të.
Rregulli kategorik për pyetjet që drejtohen lidhur me veprimet hyjnore të Allahut është:
“Ai (Zoti) nuk mund të pyetet për atë që punon, kurse ata (krijesat e Tij) do të pyeten.” (Enbija: 23)
Më konkretisht, Allahu i Lartmadhëruar është Krijuesi i universit dhe gjithë krijesave në të, ndaj për Të është e denjë të betohet në çdo krijesë që Ai do, pasi çdo gjë është nën urdhrin e Tij dhe është subjekt që dëshmon për Të.
Betimi hyjnor i kësaj natyre në krijesat është një fakt i spikatur në të gjithë librat qiellorë, ku lidhur me këtë do mjaftohemi me sa vijon:
“Zoti është betuar për krenarinë e Jakubit: ‘Nuk do të harroj asnjë nga veprat e tyre…’”
Përderisa kjo metodë hyjnore të betuari është karakteristikë e gjithë librave qiellorë, del qartë në pah naiviteti i kujt e kritikon Kuranin për një gjë të tillë.
Së dyti: Betimi i Allahut për krijesat e Tij, nuk nënkupton hyjnizimin dhe madhërimin e tyre
Me betimin e Allahut të Madhëruar në krijesat e Tij, nuk nënkuptohet shenjtërimi (hyjnizimi) dhe madhërimi i tyre, por me të synohet dëshmia, argumenti dhe ftesa e mendarëve për meditim dhe për të nxjerrë mësim, gjë që në fakt është vërtetuar të ketë gjetur përdorim në të folurin origjinal të arabëve, në gjuhën e të cilëve zbriti Kurani fisnik.
Disa nga argumentet që tregojnë se betimi për krijesat i ardhur në Kuran, nuk është për madhërimin dhe shenjtërimin e tyre, janë:
Argumenti i parë: Gjëja për të cilën bëhet betimi përgjithësohet në trajtën përgjithësuese të argumenteve të qëllimta.
Argumenti i dytë: Gjëja për të cilën bëhet betimi ndiqet nga porosia se ajo përbën argument për mendarët.
Argumenti i tretë: Prania e argumenteve kuranore që e interpretojnë këtë realitet.
Së treti: Disa dijetarë muslimanë janë të mendimit se emrat e ardhur në Kuran në betimet “Betohem për diellin, hënën, natën, agimin etj.”, janë përcaktorë gjinorë (përbëjnë trajtën gjuhësore të gjuhës arabe të quajtur “EL-MUĎAAF / në këtë rast kemi të bëjmë me përcaktorin me drejtim, që shprehet me emër në rasën gjinore)”, ku emri bërthamë i përcaktuar prej tyre (EL-MUĎAAF ILEJHI / në këtë rast emri bërtham i përcaktuar vjen në funksion të kundrinës së drejtë) ka rënë, kështu që supozimi i vërtetë i këtyrë betimeve është: “Betohem për Zotin e diellit, hënës, natës, agimit etj.”.
Allahu e di më mirë.
Alaudin Abazi