Pyetja:

Cila është e vërteta në mosmarrëveshjen mes Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe Ibn Abasit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në çështjen se a e ka parë Pejgamberi ﷺ Allahun e Lartësuar apo jo?

***

Përgjigja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Pyetja juaj ka të bëjë me një çështje që shtjellohet në lëmin e akides dhe e veçanta e kësaj është se në lidhje me këtë problematikë përcillen mendime nga sahabët. Fillimisht duhet ta dini se ky mospajtim, edhe pse është në fushën e akides, është i lejuar. Edhe pse në esencë në çështjet e akides (besimit) nuk lejohet mospajtimi, ekzistojnë disa çështje të caktuara, që janë pak, për të cilat nuk kemi argumente të drejtpërdrejta apo citate të qarta (të prera) dhe mospajtimi në të nuk ngre ndonjë peshë.

Shumica e sahabëve kanë shkuar në mendimin se Muhamedi ﷺ nuk e ka parë Allahun me sy natën e Miraxhit.

Vërtetohet nga Aishja, Allahu qoftë e kënaqur me të, se ka thënë: “Kush thotë se Muhamedi ﷺ e ka parë Allahun, ka gënjyer”, pastaj ajo lexoi ajetin: “Shikimet nuk mund ta përfshijnë Atë. Ai i përfshin shikimet e të gjithëve…” (Enam: 103) [1]

Ebu Dherri tregon se e ka pyetur të Dërguarin ﷺ se a e ka parë Allahun, ai ishte përgjigjur: “Ishte vetëm dritë, si mund ta shoh?” [2]

Kurse Ibën Huzejme dhe disa transmetues të tjerë përcjellin se Abdullah Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thoshte se Muhamedi ﷺ, e ka parë Zotin. Ikreme thotë se e kam pyetur Ibën Abasin se a e ka parë Muhamedi ﷺ Allahun, ai tha: “Po.” Por kemi transmetime në të cilat ky pohim i Ibën Abasit kushtëzohet me shikimin me zemër (pra jo me sy). Në koleksionin e saktë të haditheve shënohet se Ibën Abasi ka thënë se Muhamedi ﷺ e ka parë Allahun me zemër dy herë. [3]

Ibën Kajimi thotë: “Uthman Darimiu përcjell konsensus (ixhma) nga sahabët se i Dërguari ﷺ nuk e ka parë Zotin e tij natën e Miraxhit. Kurse disa përjashtojnë nga kjo pajtueshmëri Ibën Abasin. Shejhu ynë (ka për qëllim Ibën Tejmijën) thotë se kjo në realitet nuk është mospajtim, pasi Ibën Abasi nuk ka thënë se e ka parë Allahun me sytë e kokës. Në këtë u bazua edhe Ahmedi në njërën nga thëniet e tij; ai tha se e ka parë Allahun e Lartësuar, por nuk përmendi sytë. Citimi i Ahmedit është thënie e Ibën Abasit, (Allahu qoftë i kënaqur me të!), dhe në vërtetësinë e asaj që ka thënë shejhu ynë aludon për domethënien e hadithit të Ebu Dherrit, (Allahu qoftë i kënaqur me të!).

Në këtë sqarim të Ibën Kajimit vërejmë se në realitet nuk ekziston mospajtim në mes sahabëve, por disa dijetarë, si Begeviu dhe të tjerë, kanë theksuar se Ibën Abasi, Enesi ibën Maliku, Haseni dhe Ikreme kanë anuar nga mendimi se Muhamedi ﷺ e ka parë Allahun me sy. Kurse sa i përket thënies së Aishes: “Kush thotë se Muhamedi ﷺ e ka parë Allahun, ka gënjyer…”, nuk ka kundërshtim me pohimin e Ibën Abasit, pasi secili prej tyre ka folur në bazë të njohurive që ka pasur.

Sido që të jetë, ky mospajtim nuk është i madh dhe në të nuk ndërtohet ndonjë dispozitë dytësore e aq më pak thelbësore, prandaj tek Ehli Suneti duhet të trajtohet ashtu. Çështja në të cilën nuk lejohet mospajtimi tek Ehli Suneti është në pajtueshmërinë që kanë, se Allahut nuk mund të shihet nga askush në këtë botë (përveç mospajtimit që përmendëm rreth Muhamedit ﷺ) dhe se besimtarët do ta shohin Atë në botën tjetër qartë. Kjo do të jetë kënaqësia e tyre më e madhe.

Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi

————————-

[1] Buhariu

[2] Muslimi

[3] Muslimi