Marrëdhënia intime me gruan gjatë ciklit të saj menstrual është e ndaluar sepse Allahu -tebareke ue te ala- ka thënë:

“Të pyesin ty (Muhamed) për të përmuajshmet e femrave. Thuaju: “Ajo është gjendje e dëmshme1.” Prandaj, gjatë kësaj kohe, mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen2. Pasi të pastrohen, atëherë afrohuni tek ato ashtu si ju ka urdhëruar Allahu. Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.” El-Bekare, 2:222

Ka disa hadithe lidhur me këtë:

1 – Profeti ﷺ ka thënë:

“Ai që bënë marrëdhënie intime me gruan gjatë ciklit të saj menstrual, ai që bënë marrëdhënie intime me gruan në vrimën e saj anale apo ai që shkon tek fallxhori dhe beson në atë që ai thotë, vërtet, ai ka mohuar atë që i është shpallur Muhamedit ﷺ.” 

Transmeton Ebu Daudi, Tirmidhi dhe Ibn Maxheh, Nesai në “el-Ishrah (78)”, Darimi, Ahmedi (2/408), (2/476).

2 – Enas bin Malik -radijAllahu anhu- ka thënë:

“Kur grave të jehudëve iu vinte cikli menstrual, ata i largonin gratë prej shtëpive, nuk hanin e as nuk pinin me to, dhe nuk përzieshin me to në shtëpi. Kur i dërguari i Allahut ﷺ u pyet në lidhje me këtë u shpall ajeti:

“Të pyesin ty (Muhamed) për të përmuajshmet e femrave. Thuaju: “Ajo është gjendje e dëmshme1.” Prandaj, gjatë kësaj kohe, mos iu afroni atyre (për marrëdhënie) derisa të pastrohen.”

I dërguari i Allahut ﷺ tha:

“Përzihuni me to në shtëpi dhe bëni çdo gjë me to përveç marrëdhënieve intime.” Atëherë jehudët thanë: “Ky burrë dëshiron që të na kundërshtojë në çdo gjë.”

Usejd bin Hudhejr dhe Abbad bin Bishr shkuan te i dërguari i Allahut ﷺ dhe thanë:

“O i dërguari i Allahut, jehudët po thonë këtë dhe atë. A nuk duhet të kemi marrëdhënie intime me gratë tona kur ato kanë periudhat e tyre mujore?”

Fytyra e dërguarit të Allahut ﷺ u ndryshua ashtu që ne menduam se ai u zemërua me këta dy persona.” Ata dolën dhe takuan një burrë që i solli qumësht të dërguarit të Allahut ﷺ dhe ai ﷺ ua dërgoi dikë atyre dhe iu dha që të pinin.”3


“dëmshme” Do të thotë se kjo e bezdisë gruan. El-Kurtubi dhe të tjerë thanë se kjo do të thotë era e gjakut menstrual dhe gjëra të tjera.

2 D.m.th. pasi që të ketë përfunduar cikli i tyre menstrual dhe ato të jenë larë.

3 Muslimi, Ebu Auaneh dhe Ebu Daudi (2165) i cili e transmeton këtë formulim.

 

Imam Muhamed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Edeb-uz-Zifaf
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com