Pyetja:

Cila është arsyeja e ekzistimit të Shkruesve të Ndershëm (melekët që shkruajnë veprat), ndonëse Allahu i di krejt sendet?

***

Përgjigjja:

Ne mundemi apo nuk mundemi të kuptojmë urtësinë mbas kësaj, sepse nuk e dimë urtësinë e shumë sendeve, siç thotë Allahu:

Të pyesin ty (O Muhamed) rreth shpirtit. Thuaj: ‘Shpirti është një nga sendet për të cilën di vetëm Zoti im. Kurse, juve (njerëzimit) ju është dhënë vetëm pak dije.” (Isra: 85)

Sa u përket këtyre krijesave, nëse dikush na pyet: Cila është arsyeja që Allahu e ka bërë devenë në këtë mënyrë, kalin në këtë mënyrë, gomarin në këtë mënyrë si dhe njeriun në këtë mënyrë, pra, sikur të pyeteshim rreth këtyre arsyeve apo urtësive mbas këtyre sendeve, nuk do t’i dinim. Sikur të pyeteshim: Cila është arsyeja pse Allahu ka bërë namazin e drekës dhe të ikindisë 4 rekate, të akshamit 3 rekate, të jacisë 4 rekate e kështu me radhë, nuk do të ishim të aftë të dinim urtësinë mbas kësaj. Kështu, e dimë që, në lidhje me shumë sende, si në univers, ashtu dhe në sheriat, urtësia mbas tyre është e fshehur prej neve. Meqë kështu qëndron puna, themi: Nëse arrijmë të kuptojmë urtësinë mbas disa sendeve në krijim apo në sheriat, pra, nëse Allahu na bekon duke na mundësuar t’i kuptojmë këto, kjo është një mirësi dhe dije shtesë. Nëse nuk e kuptojmë, kjo s’do të na dëmtojë në asnjë mënyrë.

Tash, le t’i kthehemi pyetjes që ka të bëjë me atë se cila është arsyeja pse Allahu ka caktuar Shkrues të Ndershëm për të shënuar atë çka bëjmë?

Urtësia mbas kësaj është të tregohet se Allahu ka organizuar dhe matur krejt gjërat në mënyrën më të përsosur dhe deri aty, saqë ka caktuar Shkrues të Ndershëm për të shënuar punët dhe fjalët e Bijve të Ademit. Ata janë të urdhëruar t’i mbikëqyrin ata dhe të shënojnë atë çka ata bëjnë, edhe pse Ai e di çka do të bëjnë ata para se ta bëjnë atë. Por, ky është një manifestim i përsosmërisë së kujdesit të Allahut për njeriun dhe mbrojtje e plotë e Tij. Dhe kjo tregon se ky univers është i organizuar në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe Allahu është i gjithëdijshëm, më i urti.

Allahu e di më së miri.

Shejh ibn Uthejmin, “Mexhmu Fetaua ue Resa’il” 1/121