Pyetje: Pse namazi i ditës është me lexim të fshehtë, ndërsa ai i natës me zë?

Ibn Kajimi dhe të tjerë kanë përmendur disa urtësi në këtë çështje.
Ata thonë se dita është kohë e angazhimeve me punë fizike si tregtia, zanatet, bujqësia dhe kujdesi për bagëtinë. Zemrat e njerëzve janë të zëna me këto punë, prandaj, nëse leximi në namaz do të ishte me zë, ata nuk do ta përqendronin mendjen dhe nuk do ta kuptonin plotësisht. Për këtë arsye, namazi i ditës është me zë të fshehtë, në mënyrë që secili të lexojë për veten e tij, të përqendrohet në leximin e tij, të mendojë dhe të reflektojë mbi atë që thotë. Kështu, ai largohet nga shpërqendrimet dhe mendimet e kota që mund t’i vijnë gjatë namazit.

Ndërsa namazi i natës është me zë, sepse nata është kohë e qetësisë dhe e largimit nga angazhimet dhe punët. Zemra është më e çliruar, prandaj, kur imami lexon me zë, njerëzit dëgjojnë me vëmendje, përqendrohen në leximin e tij, reflektojnë mbi atë që bëjnë dhe gjuha dhe zemra bashkohen në këtë adhurim. Allahu i Lartësuar thotë:

“Vërtet, adhurimi natën është më i qëndrueshëm dhe leximi më i kuptueshëm.” Muzzemmil, 6.

Pra, gjatë namazit të natës, zemra dhe gjuha janë në harmoni, duke i mundësuar njeriut të përfitojë, të kuptojë dhe të ruajë më mirë fjalën e Allahut.

Për sa i përket namazit të xhumasë, ai është me zë sepse në këtë namaz marrin pjesë shumë njerëz, të cilët kanë nevojë ta dëgjojnë Kuranin. Në mesin e tyre mund të ketë nga ata që bëjnë gabime në lexim ose e ndryshojnë gabimisht atë. Kur e dëgjojnë leximin e drejtë, ata përfitojnë dhe korrigjojnë gabimet e tyre.

Ibn Xhibrini (Allahu e mëshiroftë).
"Fetava" nr.13043.