Pyetja:
Pse po ndodhin aksidentet rrugore?
***
Përgjigjja:
Nisur nga shtimi i aksidenteve automobilistike dhe rrezikshmëria që ato paraqesin për jetën e njerëzve dhe pasurinë e tyre, është parë e nevojshme të vendosen rregulla të veçanta sigurie për këto mjete, para se të jepet leja për qarkullimin e tyre, po ashtu janë vendosur edhe rregulla të veçanta për përdorimin e mjetit nga ata që i ngasin, siç është mosha, aftësia fizike, shëndeti, njohja e rregullave të qarkullimit rrugor etj.
Së pari:
a- Respektimi i këtyre rregullave, të cilat nuk bien ndesh me dispozitat e sheriatit, është detyrim fetar, sepse respektimi i tyre konsiderohet si bindje ndaj të parit. Këto rregulla bëjnë pjesë në fushën e dobisë së përgjithshme dhe bazohen në argumentin e “interesave të papërcaktuara” (mesaliha el-murseleh). Është e nevojshme që rregullat e qarkullimit rrugor të përmbajnë dispozita të sheriatit, të cilat nuk janë përfshirë më parë në këtë fushë.
b- Në interes të respektimit të këtyre rregullave është edhe vendosja e masave të ndryshme ndëshkuese, siç janë gjobat, për ata që nuk respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe vënë në rrezik jetën e njerëzve në rrugë, treg ose që qarkullojnë me mjete të tjera transporti. Në këtë rast si argument merren në konsideratë dispozitat e njohur të ndalimit të së keqes (el-hisbe).
Së dyti:
Në lidhje me aksidentet që ndodhin për shkak të qarkullimit të mjeteve të transportit, zbatohen dispozitat e kodit penal të parashikuara nga sheriati islam për këtë rast, edhe pse në rastet më të shumta këto aksidente ndodhin për shkak të gabimeve të paqëllimshme, shoferi është ai që ngelet përgjegjës për dëmet e shkaktuara ndaj dikujt tjetër, qoftë këto dëme fizike apo materiale, nëse provohet gabimi dhe dëmi. Nga kjo përgjegjësi përjashtohen vetëm rastet e mëposhtme:
- Nëse aksidenti ndodh për shkak të një force madhore të papërballueshme, ndaj së cilës nuk mund të merren masa paraprake. Këtu futen të gjitha ndodhitë në të cilat nuk ka dorë njeriu.
- Nëse ndodh për shkak të veprimit të të dëmtuarit dhe ka ndikuar fuqishëm në rezultatin përfundimtar.
- Nëse aksidenti ka ndodhur për shkak të gabimit apo sulmit të dikujt tjetër, atëherë është tjetri ai që mban përgjegjësinë.
Së treti: Nëse aksidentet shkaktohen nga kafshët që dalin në rrugë, atëherë përgjegjësia për dëmet bie mbi pronarët e tyre, nëse nuk kanë bërë aq sa duhet për vënien nën kontroll të tyre. Kjo çështje ndahet në gjykatë.
Së katërti: Nëse aksidenti është shkaktuar si nga shoferi dhe i dëmtuari, atëherë çdo njeri prej tyre mban pjesën e vetë të përgjegjësisë së asaj që ka shkaktuar, qoftë dëm fizik apo material.
Së pesti:
- Si normë bazë merret fakti se përgjegjës për aksidentin është ai që e ka kryer atë drejtpërdrejtë, është ai që duhet të përgjigjet për të edhe nëse veprimi nuk ka qenë i qëllimshëm. Ndërsa ai që bëhet shkak nuk është përgjegjës, vetëm nëse ka neglizhuar ose veprimi i tij është i qëllimshëm.
- Nëse ndodh që të ketë edhe veprues të drejtpërdrejtë edhe shkaktarë, atëherë përgjegjësia bie vetëm mbi vepruesin e drejtpërdrejtë dhe jo mbi shkaktarin, vetëm nëse shkaktari ka vepruar qëllimisht ndërsa ai që ka kryer veprimin drejtpërdrejtë nuk ka qenë i tillë.
- Nëse qëllon që të ketë dy shkaqe të ndryshme, të cilat ndikojnë që të dyja në pasojën e dëmit, që të dy shkaktarët janë përgjegjës në masën e dëmit që ata kanë shkaktuar secili. Nëse janë të njëjtë ose është e pamundur të dallohet përgjegjësia përkatëse e secilit, atëherë përgjegjësia ndahet tek të dy njëlloj.
Allahu e di më së miri.
Asambleja e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam
Përktheu: Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë.